Gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, avokati i Veselit: Prokuroria nuk ka prova te forta
Mos shtrembërim të drejtësisë ka kërkuar avokati i ish kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, në deklaratën e tij përmbyllëse para togave të zeza të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Rodney Dixon, provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër klientit të tij, i cilësoi të dobëta dhe të pabaza.
“Pavarësisht sa është përpjekur Prokuroria t’ju bindë që ta shpallni fajtor zotin Veseli, ne e kundërshtojmë këtë me parimin ligjor dhe shtetin ligjor, që është në qendër të të gjitha gjykatave ndërkombëtare. Kur nuk ka prova, apo kur provat janë të dobëta, nuk mund të ketë shpallje fajësie”, tha Dixon.
Dixon gjithashtu argumentoi se dëshmitarë të palës akuzuese kanë gënjyer nën betim.
“Kemi parë që Zyra e Prokurorit të Specializuar ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, ndërsa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për të dhënë përgjigje. Si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën”, ka deklaruar ai.
Mbrojtja e ish kryeparlamentarit të Kosovës, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 së bashku me ish presidentin Hashim Thaci, ish kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi dhe ish deputetin Rexhep Selimi pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfundon sot deklaratën përmbyllëse për t’ia lënë radhën avokatëve mbrojtës të Rexhep Selimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




