Kim Jong Un zgjedh vajzën adoleshente si trashëgimtare të fronit

Botë | 9 muaj më parë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vendosur që vajza e tij adoleshente të jetë trashëgimtarja e vetme e pushtetit absolut. Sipas inteligjencës së Koresë së Jugut, 13-vjeçarja Kim Ju Ae po përgatitet zyrtarisht për të marrë në dorë fatet e regjimit komunist.

“Ajo nuk po trajnohet më thjesht si pasardhëse, por ka hyrë tashmë në fazën e emërimit zyrtar në krye të shtetit,” deklaroi ligjvënësi Lee Seong-k­ëen.

Prania e saj në krah të të atit gjatë inspektimeve të raketave bërthamore dhe paradave ushtarake dëshmon peshën e saj të re politike.

Edhe pse në një shoqëri thellësisht patriarkale, vajza po trajtohet tashmë si personi i dytë më i fuqishëm në vendin e izoluar.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët, ajo shfaqet me rroba firmato dhe flokë të gjatë, duke thyer hapur rregullat e rrepta të jetesës.

Mediat shtetërore e pozicionojnë atë gjithmonë në qendër të kornizës, një simbolikë e qartë kjo për të ardhmen e fronit. Edhe pse besohet se Kim ka një djalë më të madh, ai ka mbetur në hije duke i lënë skenën motrës së tij.

Bota po vëzhgon me kureshtje nëse ky ndryshim i papritur do të sjellë një frymë të re apo do të forcojë diktaturën.

Mbetet ende mister se si kjo adoleshente do të formësojë politikat e një shteti të armatosur deri në dhëmbë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme