Ndryshimet ligjore, Rama: Asnjë gjykatës nuk mund të verë në diskutim vendimet tona, s’do të lejojmë pezullimin e funksioneve kushtetuese

Politikë | 9 muaj më parë

Ndryshimet ligjore të propozuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama theksuar se janë në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe me modelin demokratik të ndarjes së pushteteve.

Ai argumentoi se pezullimi nga një prokuror apo gjyqtar për një anëtar të kabinetit qeveritar, nuk cenon individin, por funksionin kushtetues që ai ushtron.

“Bllokimi është në trutë e atyre që nuk i kanë dhënë drejtim, bazuar në frymën e Kushtetutës dhe në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve në mbarë botën. Natyrisht, këtu nuk kam parasysh persona të veçantë, por kulturën e dobët demokratike dhe shtetin ligjor të dobët që ka Shqipëria për shkak të traditës së vet.

Pezullimi nga një prokuror dhe një gjyqtar në një seancë paraprake, kur nuk ka nisur ende as gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, nuk cenon personin, por cenon funksionin. Këto janë funksione që nuk ushtrohen dot pa personin. Kaq duhet të mjaftonte për ta mbyllur këtë debat absurd, por ja që nuk ndodhi kështu”, tha Rama.

Sipas tij, shumica parlamentare do të refuzojë çdo ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv, duke theksuar se kjo nismë nuk cenon drejtësinë e pavarur apo pushtetin gjyqësor por vendos balancën mes tyre. Rama tha se ndryshimet ligjore nuk kanë të bëjnë me rastin konkret, por me ndarjen e pushteteve, atij gjyqësor nga ai ekzekutiv.

“Mosvendimi bën që ato funksione të jenë vulnerabël ndaj pezullimit dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë. Kushtetuta thotë se ka tre pushtete të pavarura: përveç gjyqësorit janë legjislativi dhe ekzekutivi. Për çfarë jemi të varur ne në raport me gjyqësorin? Ku është e shkruar që gjyqësori mund të ndërhyjë në pushtetin ekzekutiv?

Ne jemi të pavarur në të drejtën për të marrë vendime dhe nuk ka prokuror apo gjykatës që t’i vërë në diskutim. Kjo nuk ka lidhje me rastin konkret; rasti konkret ka rrugën e vet dhe nuk ka lidhje fare me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm.

Refuzojmë me votën e shumicës në Parlament ndërhyrjen në pushtetin ekzekutiv dhe kjo nuk ka të bëjë me vendosmërinë tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e drejtësisë. Ne duam një drejtësi të pavarur”, tha Rama.

Ndryshimet e propozuara prekin ligjin “Për Kodin e Procedurës Penale”, konkretisht nenin 242, dhe synojnë forcimin e kufirit mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv, në raport me pezullimin e funksioneve të parashikuara nga Kushtetuta.

Këto ndryshime u paraqitën nga kryetar i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili theksoi se kjo ndërhyrje, është e nevojshme për të plotësuar një boshllëk ligjor. Ai nënvizoi se ndryshimi i propozuar nuk ndërhyn në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe nuk e kufizon juridiksionin penal, por synon të harmonizojë ushtrimin e funksioneve kushtetuese me procesin penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme