Osmani: UÇK-ja simbol i lirisë dhe dinjitetit, të vërtetën duhet ta mbrojmë dhe ta shkruajmë
Në Prishtinë, gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga Ahmet Shala, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së historisë dhe përfaqësimin e drejtë të luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Liria ishte më e shtrenjtë se vetë jeta. Këtë të vërtetë dhe këtë histori duhet ta mbrojmë me krenari kudo në botë. UÇK-ja është ideali më i fuqishëm, ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj. Për ta mbajtur të gjallë të vërtetën, duhet edhe ta shkruajmë atë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se rrëfimi përmes këtij libri dhe vizitave në Hagë te ish-krerët e UÇK-së rikthen kujtesën kolektive dhe ngre moralin për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin.
“Vizitat dhe proceset gjyqësore që po zhvillohen tregojnë sfidat ndaj lirisë dhe pavarësisë sonë. Përballë dhunës masive, gjenocideve dhe të zhdukurve, përgjegjësia jonë është të ruajmë kujtesën kolektive dhe të kërkojmë drejtësi”, tha Osmani
Osmani theksoi gjithashtu se lufta e UÇK-së ishte një përgjigje ndaj shtypjes popullore dhe një betejë për mbijetesë dhe dinjitet.
“Mbrojtja e këtyre të vërtetave është në shërbim të themeleve të shtetit tonë. Pa një interpretim të drejtë të historisë nuk mund të ketë një të ardhme të qëndrueshme. Liria e fituar me sakrificë kërkon zë të lartë, qëndrim të drejtë, kujtesë të përhershme dhe drejtësi”, përfundoi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




