Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Abilekaj: Vendimet rrezikojnë të përmbysin historinë: Viktimat shpallen terroristë, agresorët viktima!

Aktualitet | 9 muaj më parë

Gazetari dhe analisti Enton Abilekaj, i ftuar në studion e emisionit “Tema e Ditës” të moderuar nga gazetarja Blerta Tafani, komentoi zhvillimet më të fundit politike dhe juridike në vend, duke nisur me procesin e Hagës ndaj udhëheqësve të UÇK-së, protestat e thirrura nga opozita dhe propozimet ligjore të prezantuara sot nga kryeministri Edi Rama.

Ai e cilësoi gjykimin si “shëmtia më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë”, duke argumentuar se akuzat ndaj katër drejtuesve të UÇK-së janë të pakuptueshme dhe pa logjikë, pasi të gjithë kanë të njëjtën peshë faji sipas aktakuzës.

“Të akuzosh ata që janë mbrojtur nga shfarosja, nga terrori shtetëror, nga gjenocidi, dhe t’i dënosh me 45 vite burg, ndërkohë që asnjë nga ata që kanë kryer gjenocidin nuk është dënuar me kaq, është përmbysje e historisë,” tha Abilekaj.

Sipas tij, vendime të tilla rrezikojnë të shpallin viktimat si terroristë dhe agresorët si viktima, duke minuar besimin tek drejtësia ndërkombëtare.

Ai shtoi se përgjegjësia për krijimin e Gjykatës Speciale bie edhe mbi politikanët shqiptarë që e votuan, përfshirë iniciatorin Hashim Thaçi.

Duke kaluar tek opozita, Abilekaj analizoi protestat e fundit të Partisë Demokratike dhe Foltores, duke vënë në dukje mungesën e një kontrasti të qartë mes qeverisë dhe opozitës.

“Problemi është që publiku nuk sheh kontrastin mes qeverisë dhe opozitës. Nëse mendojmë se qeveria duhet të largohet, duhet të shohim edhe arsyen pse t’i japim besimin alternativës. Deri tani, opozita nuk ka bindur masën e madhe të qytetarëve,” u shpreh ai.

Sipas Abilekajt, prania e madhe e njerëzve në protesta nuk mjafton për ndryshim pushteti pa një izolim të qeverisë nga ndërkombëtarët.

Ai solli si shembull vizitën e kryeministrit Rama në Washington për Bordin e Paqes, duke e cilësuar si një “goditje për idenë e opozitës që prej kohësh thotë se Rama nuk shkon dot”.

Në fund, Abilekaj u ndal tek propozimet e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet ligjore, të cilat sipas tij synojnë të rregullojnë ndarjen e pushteteve.

Por ai i kritikoi si të papërshtatshme, duke theksuar se nisma erdhi pas një konflikti mes GJKKO-së dhe qeverisë që përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

“Në logjikën politike, një pushtet që buron nga Parlamenti nuk mund të hiqet nga një gjykatë pa lejen e vetë Parlamentit. Pra, GJKKO dhe SPAK nuk mund të heqin imunitetin pa ia kërkuar këtë Parlamentit,” tha ai.

Sipas Abilekajt, mazhoranca duhej të kishte gjetur një tjetër iniciativë kushtetuese, duke plotësuar Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një vendim të qartë mbi këtë dilemë.

Ai shtoi se ndryshimet e propozuara nga mazhoranca krijojnë një balancë të deformuar pushtetesh, ku disa persona në ekzekutiv mbrohen nga gjyqësori vetëm për shkak të pushtetit që gëzojnë.

“Parimi i balancës së pushteteve duhet të jetë i njëjtë për gjithë ekzekutivin, jo thjesht për disa emra,” tha Abilekaj, duke përfunduar se kjo dilemë kushtetuese nuk mund të zgjidhet me ligj, por vetëm me një vendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme