Defekte në rrjetin elektrik nga moti i keq – Në qarkun e Shkodrës energjia është rikthyer për të gjithë abonentët

Aktualitet | 8 muaj më parë

Java që po  lemë pas është shoqëruar me reshje shiu, erë të fortë dhe borë në zonat malore të qarkut Shkodër, duke krijuar vështirësi edhe në furnizimin me energji elektrike. Aktualisht, sipas drejtorit të OSHEE Rajoni Verior, Armando Zhuka, i gjithë rajoni verior po furnizohet me energji.

“Situata për shkak të kushteve atmosferike ka sjellë disa probleme në zona të ndryshme. Grupet tona në terren kanë marrë masat e duhura dhe është rikthyer energjia por kemi pasur edhe avari të cilat kanë qenë më të rënda në dy nënstacionet e Malësisë së Madhe”, u shpreh Zhuka.  

Malësia e Madhe, kryesisht zona e Vermoshit, ka pasur numrin më të lartë të defekteve.

“Ka qenë zona e malësisë së madhe, periferia e Vermoshit e cila është mbajtur në mbikëqyrje nga një grup i cili ishte instaluar atje dhe më pak zonat e Pukës dhe fushë-Arrëz”, tha ai.

Era e fortë ka shkaktuar dëme, kryesisht në thyerjen e shtyllave, të cilat tashmë janë zëvendësuar, duke mundësuar rikthimin e energjisë elektrike.

“Ka pasur dëme të shkaktuara si shtylla të thyera, linja të dëmtuara të cilat janë rikthyer në gjendje funksionale duke u ndërruar me pajisje të reja”, tha drejtori i OSHEE, Rajoni Verior.

Situata paraqitet e stabilizuar, ndërsa grupet e punës vijojnë monitorimin në terren për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji dhe ndërhyrje të menjëhershme në rast të problematikave të reja në qarkun Shkodër.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme