Qumështi i ndotur i bebeve, BE ashpërson kontrollet kufitare ndaj importeve të përbërësit që vjen nga Kina
Bashkimi Evropian ka ashpëruar kontrollet kufitare ndaj importeve të një përbërësi të qumështit të foshnjave që importohet nga Kina dhe që është identifikuar si burimi i një skandali të madh të ndotjes së këtij qumështi. Substanca toksike e quajtur cereulid që shkakton të vjella dhe diarre u zbulua fillimisht në muajin dhjetor në disa seri të formulës që përbënte vaj të acidit arakidonik, çka çoi në tërheqje të produktit në dhjetëra vende.
Komisioni Evropian u shpreh në gazetën e tij zyrtare se ishte shtimi I masave kufitare ishte e nevojshme për të garantuar një nivel të lartë të kontrolleve zyrtare dhe kushte të veçanta në lidhje me importin e dërgesave me vaj të acidit arakidonik nga kina. Këto dërgesa tashmë duhet të shoqërohen me një certifikatë zyrtare ku tregohet se janë testuar dhe nuk përmbajnë cereulid.
Ndërsa për dërgesat që tashmë janë nisur nga Kina, komisioni evropian bëri me dije se do të kontrollohen fizikisht. Lëvizjen, komisioni e justifikoi me faktin se ishin ndërmarrë disa hetime që treguan se vaji i acidit arakidonik me origjinë nga Kina dhe i përdorur për prodhimin qumështit pluhur përbënte një burim ndotjeje dhe një rrezik të madh për shëndetin e njeriut. Që nga muaji dhjetor, prodhuesit e formulës për bebe si Nestle, Danone dhe Laktalist kanë tërhequr këtë produkt nga më shumë se 60 vende, përfshi disa shtete evropiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




