PS mblidhet nesër për imunitetin e zv.kryeministres, Zogaj: Pres vendim të drejtë, pasi lidhet me fatin e integrimit të vendit

Politikë | 8 muaj më parë

PS mblidhet nesër për imunitetin e zv.kryeministres, Zogaj: Pres vendim të drejtë, pasi lidhet me fatin e integrimit të vendit

Partia Socialiste pritet të mbledhë nesër grupin parlamentar për të vendosur një qëndrim unanim lidhur me kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në emisionin “Trialog” në RTSH, analisti Preç Zogaj theksoi se pret një qëndrim të drejtë dhe e konsideroi nesërmen si “ditën e së vërtetës për PS-në dhe kryeministrin Edi Rama” në raport me drejtësinë.

“Nesër është prova e së vërtetës për PS-në dhe kryeministrin Rama në qëndrimin ndaj drejtësisë. Ky është një vendim që duhet të merret dhe nuk mund të parashikohet; unë pres një vendim të drejtë. Nuk jam partizan i zgjidhjeve populiste, dhe deputetët duhet të mbështeten te vlerësimi i provave, duke shmangur përpjekjet për ‘helmim provash’”, tha Zogaj.

Ai shtoi se nëse vendimi nuk do të ishte i drejtë, rreziku do të ishte i madh, pasi lidhet edhe me fatin e integrimit europian të Shqipërisë:

“Vendimi është: a do t’i hapin rrugë drejtësisë për të çuar hetimin deri në fund, apo do të krijojnë pengesa për të? Të mos harrojmë se Rama ka konsumuar deri tani tri pengesa për SPAK-un dhe ndoshta nesër mund të konsumojë edhe pengesën e katërt. E para: refuzoi pezullimin që kërkoi SPAK; e dyta: refuzoi dorëheqjen e Ballukut; e treta: e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Nëse merret një vendim i padrejtë, rreziku nuk do të jetë i vogël. Llogaritë duhet të bëhen mirë, sepse ky vendim lidhet edhe me fatin e integrimit europian të Shqipërisë”, përfundoi Zogaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme