Zhegrova “hëngri” golin e kualifikimit të Juventusit: Sonte dhemb, pjesë e rrugëtimit tim!

UEFA Champions League | 8 muaj më parë

Emri i Edon Zhegrovës ishte më i lakuari pas ndeshjes Juventus-Gallatasaraj, ku skuadra italiane fitoi 3-2, por u eliminua nga Champions League.

Sulmuesi kosovar u fut në fushë në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-0, dhe pati impakt në lojën e Juventusit, duke ndihmuar në aksionet e dy golave të tjerë, që e çuan kualifikimin në shtesë (ndeshja e parë kishte përfunduar 5-2 për turqit).

Dhe në shtesë Zhegrova “hëngri” golin e 4-t, duke shpërdoruar një mundësi të artë, që do ta kishte kthyer në hero. Ai gaboi një gol thuajse të sigurt, duke gjuajtur jashtë. Më pas Juventusi pësoi dy gola.

“Sonte dhemb. Por kjo humbje është pjesë e rrugëtimit tim! Krenar për skuadrën dhe mentalitetin që treguam. Faleminderit të gjithë tifozëve në stadium, ishit të jashtëzakonshëm”, – ka shkruar sulmuesi në rrjetet sociale pas eliminimit të Juventusit.

Çdo lojtari i ndodh të humbasë një rast goli, por vështirës se ai moment do të hiqet nga mendja e drejtuesve dhe tifozëve të Juventusit. Vështirë se ata do ta “falin”, ndërsa vetë Zhegrova humbi “shansin e jetës” me fanellën bardhezi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme