Pa podium e pa fjalime, opozita proteston sot para Kryeministrisë në formë marshimi – Policia e Shtetit mobilizon mbi 1500 efektivë

Politikë | 8 muaj më parë

Ditën e sotme opozita ka thirrur protestën e pestë kombëtare.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, sot nuk ka podium dhe as fjalime.

Gazetarja e RTSH, Jonida Omeri, raporton se protesta do të zhvillohet në formë marshimi.

Sipas saj, protestuesit do të mblidhen fillimisht në sheshin para Kryeministrisë dhe më pas do të marshojnë drejt institucioneve kryesore të vendit.

Organizatorët kanë konfirmuar se nuk do të ketë ndalesa pranë Kuvendit dhe as hedhje të mjeteve piroteknike, për të shmangur çdo incident në zonën e Namazgjasë, ku besimtarët janë të pranishëm për shkak të Ramazanit.

Megjithatë, policia ka marrë masa të rrepta sigurie. Mbi 1500 efektivë janë angazhuar në terren, ndërsa Kryeministria është blinduar dhe rrethuar me barriera metalike.

Forcat “Shqiponja” janë pajisur edhe me fikëse zjarri, si masë paraprake duke pasur si referencë protestat e mëparshme.

Sipas gazetares Omeri, efektivë policie janë vendosur jo vetëm pranë Kryeministrisë, por edhe në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Në gatishmëri janë vendosur automjete policore, autoambulanca dhe makina të hedhjes së ujit.

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit, por ka marrë të gjitha masat për rendin publik, mbrojtjen e institucioneve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme