“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori ka vdekur”, Trump shpall vdekjen e liderit suprem iranian: Bombardimet do të vazhdojnë!

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar në platformën “Truth Social” se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, është vrarë.
“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori ka vdekur”, shkroi Trump, duke shtuar se ai “nuk mundi t’u shmangej sistemeve të inteligjencës dhe gjurmimit të SHBA-së” dhe se “nuk kishte asgjë që ai, apo liderët e tjerë të vrarë bashkë me të, mund të bënin”.
Megjithatë, burime iraniane më herët kishin mohuar raportimet për vdekjen e Khameneit, duke deklaruar se ai ishte “duke komanduar në terren”. Nga ana tjetër, zyrtarë izraelitë kanë pretenduar se trupi i tij është gjetur.
Trump e cilësoi zhvillimin si “mundësinë më të madhe për popullin iranian që të rimarrë vendin e tij”, duke lënë të kuptohet për një ndryshim regjimi. Ai tha gjithashtu se Uashingtoni ka informacion se shumë pjesëtarë të Gardës Revolucionare, ushtrisë dhe forcave të sigurisë iraniane “nuk duan më të luftojnë”, dhe sugjeroi se SHBA mund t’u ofrojë atyre “imunitet”.
Presidenti amerikan shtoi se, përveç vdekjes së liderit suprem, Irani “brenda vetëm një dite është shkatërruar dhe madje i zhdukur në masë të madhe”.
Sipas tij, bombardimet e rënda do të vazhdojnë “pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
“Khamenei, një nga njerëzit më të këqij në histori ka vdekur. Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët e mëdhenj dhe për njerëzit nga shumë vende të botës që janë vrarë ose gjymtuar nga Khamenei dhe banda e tij e egër e kriminelëve të etur për gjak. Ai nuk arriti t’u shmangej sistemeve tona të inteligjencës dhe ndjekjes shumë të sofistikuar dhe, duke punuar ngushtë me Izraelin, nuk kishte asgjë që ai, apo liderët e tjerë që janë vrarë së bashku me të, mund të bënin. Kjo është mundësia më e madhe për popullin iranian që të rimarrë vendin e tij. Po dëgjojmë se shumë nga IRGC, ushtria dhe forcat e tjera të sigurisë dhe policisë, nuk duan më të luftojnë dhe po kërkojnë imunitet nga ne. Siç thashë mbrëmë: ‘Tani mund të kenë imunitet, më vonë do të kenë vetëm vdekje!’.
Shpresojmë që IRGC dhe policia të bashkohen në mënyrë paqësore me patriotët iranianë dhe të punojnë së bashku si një njësi për ta kthyer vendin në madhështinë që meriton. Ky proces duhet të fillojë së shpejti, pasi jo vetëm vdekja e Khameneit, por edhe vendi është, brenda vetëm një dite, shumë i shkatërruar dhe madje i rrënuar plotësisht. Megjithatë, bombardimet e rënda dhe të sakta do të vazhdojnë, pa ndërprerje gjatë gjithë javës ose për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivin tonë të PAQES NË LINDJEN E MESME DHE, MADJE, NË TË GJITHË BOTËN! Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje”, deklaroi Trump.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




