Shqipëria mundet nga Sllovakia

Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll për meshkuj u mund nga Sllovakia në ndeshjen e luajtur në Shkodër, 94-68. Për kuqezinjtë është humbja e tretë në po aq ndeshje për parakualifikueset e Eurobasket 2027.
Kombëtarja e basketbollit për meshkuj u mund 68-94 nga Sllovakia në Shkodër, për parakualifikueset e Eurobasket 2027. Është humbja e tretë në tri ndeshje, pas humbjes në ndeshjen e parë me Sllovakinë dhe me Kosovën, çka e lë Shqipërinë në vendin e fundit në Grupin C.
Sllovakia e nisi menjëherë mirë ndeshjen në Shkodër dhe shkoi deri 10 pikë përpara. Pas largimit të pesëshes titullare, kuqezinjtë arritën të shkurtonin diferencën dhe e mbyllën periodën e parë 15-17 në favor të sllovakëve. Me rikthimin e titullarëve, Sllovakia dominoi sërish në periodën e dytë, duke shkuar dhjetë pikë para, më pas kuqezinjtë e ngushtuan diferencën në gjashtë, por dy faulle teknikë dhe gjuajtjet e lira të realizuara nga sllovakët e rritën edhe njëherë diferencën dhe miqtë fituan periodën 30 me 20, duke e mbyllur pjesën e parë të lojës 35 me 47.
Perioda e tretë foli për Shqipërinë, që e fitoi atë 22 me 17, duke mundësuar ngushtimin e rezultatit të lojës në 57 me 64, vetëm shtatë pikë diferencë. Pas disa iluzioneve në periodën e katërt, kur diferenca u ul deri në gjashtë pikë, Sllovakia u shkëput furishëm falë gjuajtjeve për tri pikë dhe e fitoi këtë fraksion loje 30 me 11, dhe gjithë ndeshjen 94 me 68. Ndeshja e ardhshme e kuqezinjve do të jetë në korrik, kundër Kosovës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




