Nga Australia te SHBA, masat për kthimin e qytetarëve të bllokuar në Lindjen e Mesme! Britania organizon fluturim çarter nga Omani

Shumë shtete kanë nisur përpjekjet për të ndihmuar qytetarët e tyre të bllokuar në Lindjen e Mesme, ndërsa pjesa më e madhe e hapësirës ajrore në rajon mbetet e mbyllur. Autoritetet po shqyrtojnë opsione nga fluturimet çarter deri te koordinimi me linjat ajrore komerciale, megjithëse situata paraqitet e vështirë.
Australia
Ministrja e Jashtme, Penny Wong, deklaroi se qeveria është në diskutime me linjat ajrore për të ndihmuar rreth 115 mijë australianë të bllokuar në rajon. Megjithatë, ajo paralajmëroi se evakuimet do të jenë të ndërlikuara për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore.
Franca
Një zyrtar i qeverisë franceze bëri të ditur se rreth 400 mijë shtetas francezë janë prekur nga situata. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të regjistrohen në sistemin “Ariane” të Ministrisë së Jashtme, ku deri më tani janë regjistruar mbi 25 mijë persona.
Gjermania
Qeveria gjermane theksoi se industria e turizmit mban përgjegjësinë kryesore për kthimin e rreth 30 mijë gjermanëve të bllokuar. Sipas Berlinit zyrtar, riatdhesimi ushtarak do të përdoret vetëm si zgjidhje e fundit.
Italia
Një fluturim i parë çarter me 127 qytetarë italianë të bllokuar në Oman, ose të zhvendosur atje nga Dubai, mbërriti në aeroportin Fiumicino të Romës. Pasagjerët falënderuan ambasadën italiane për ndihmën në organizimin e kthimit.
Spanja
Ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares, njoftoi se Spanja ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj nga Lindja e Mesme.
Shtetet e Bashkuara
Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga më shumë se një duzinë vendesh në rajon. Deri tani nuk janë njoftuar fluturime të posaçme riatdhesimi.
Mbretëria e Bashkuar organizon fluturim çarter nga Omani
Qeveria britanike ka marrë me qira një fluturim komercial nga Omani për të nxjerrë shtetasit e saj. Fluturimi është planifikuar të niset nga Muscat më 4 mars në orën 23:00 sipas kohës lokale (19:00 GMT) dhe do t’u japë përparësi personave më vulnerabël.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të mos paraqiten në aeroport nëse nuk janë kontaktuar drejtpërdrejt nga Ministria e Jashtme për konfirmimin e vendit në fluturim. Qeveria britanike ka theksuar se do të vijojë bashkëpunimin me linjat ajrore për të siguruar më shumë mundësi kthimi.
Sipas Sekretares së Brendshme, Yvette Cooper, rreth 300 mijë qytetarë britanikë ndodhen aktualisht në vendet e Gjirit, ku pjesa më e madhe e hapësirës ajrore vazhdon të jetë e mbyllur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




