“Brezi i artë – Violeta Manushi”- Shfaqet në Korçë dokumentari në 100-vjetorin e lindjes së ikonës së skenës shqiptare
Në 100-vjetorin e lindjes së aktores së madhe korçare Violeta Manushi, Teatri “Andon Z. Çajupi” shfaqi premierën e dokumentarit “Brezi i Artë – Violeta Manushi”. Përmes materialeve arkivore, dëshmive dhe rrëfimeve, filmi sjell portretin njerëzor dhe artistik të Manushit, duke e rikthyer atë në vëmendjen e brezave të rinj.
“Qëllimi ishte të heqim pluhurin e harresës, ti lëmë diçka në të ardhmen, dokumente, argumente, prova të këtyre artistëve të mëdhenj që krijuan themelin e teatrit shqiptar dhe të filmit si një vlerë e paçmuar e identitetit shqiptar”, u shpreh aktorja Merita Cocoli.
Gjatë punës për realizimin e dokumentarit, Çoçoli tregon se ajo që e ka prekur më shumë ishte disiplina dhe dashuria e pakushtëzuar e Manushit për profesionin.
“Mësova këmbënguljen e saj, ajo tha që dua të vdes në skenë. Ke shumë çfarë mëson prej saj, në pozicionin e aktores ka qenë e shkëlqyer”, tha ajo.
Publiku korçar përjetoi emocione të forta dhe kujtime të paharruara për Violeta Manushin, ikonën e skenës dhe filmit shqiptar, bijën e qytetit që u kthye në simbol të artit kombëtar.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




