Salianji nga Vlora: Opozita e dobët po mban qeverinë në pushtet

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi të dielën gjatë një takimi me strukturat lokale në Vlorë se mbajtja e qeverisë në pushtet vjen si pasojë e dobësisë së opozitës. Ai kërkoi marrjen e përgjegjësive nga lidershipi i PD-së për humbjet elektorale, duke kërkuar ndryshime në drejtimin e forcës politike.
Gjatë fjalës së tij, Salianji theksoi se qeveria aktuale është e përfshirë në skandale që do të kishin sjellë zgjedhje të parakohshme, por argumentoi se justifikimi i opozitës te manipulimi i votave nuk është i mjaftueshëm. Sipas tij, mosndodhja e rotacionit politik lidhet drejtpërdrejt me mungesën e besimit të qytetarëve te drejtimi aktual i Partisë Demokratike.
Duke u ndalur te zhvillimet e brendshme të partisë, ish-deputeti ngriti pretendime për mungesë strategjie dhe vendimmarrje të bazuara në klientelizëm. Ai deklaroi se forumet e larta po veprojnë si një strukturë e mbyllur, duke përjashtuar anëtarët kontribues dhe duke kufizuar përfaqësimin, fakt të cilin e ilustroi me mungesën e grave në kryesinë e partisë.
“Nuk mund të fshihemi pas justifikimeve. Një qeveri e keqe qëndron në pushtet nëse ka përballë një opozitë të dobët,” u shpreh Salianji para të pranishmëve. Ai shtoi se qasja e lidershipit aktual mbetet e vjetruar dhe nuk i përgjigjet kërkesave të qytetarëve apo pritshmërive të faktorit ndërkombëtar.
Në mbyllje të takimit, Salianji i kërkoi publikisht lidershipit të PD-së të pranojë përgjegjësinë për rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Sipas tij, ndryshimi i drejtuesve politikë dhe hapja e partisë janë kushte të domosdoshme për ta kthyer atë në një forcë fituese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




