NATO forcon mbrojtjen ajrore në Turqi – Vendos sisteme “Patriot” pas kapjes së raketës së dytë iraniane
Turqia po forcon mbrojtjen e saj ajrore pas lëshimit të dy raketave nga Irani. “Si pjesë e masave përkatëse të NATO-s, një sistem mbrojtës raketor “Patriot” po përgatitet për dislokim në provincën lindore turke të Malatya-s”- njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Ankara duke theksuar se ky hap do të forcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Sakaq presidenti Recep Tayyip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë kapjen e një rakete të dytë iraniane që shkonte drejt Turqisë. “Shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë nuk mund të justifikohet për asnjë arsye:- tha Erdogan ndërsa theksoi se Turqia do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme kundër incidenteve të tilla.
Biseda telefonike u zhvillua me kërkesë të Pezeshkian, dhe erdhi pasi Ministria Turke e Mbrojtjes Kombëtare tha të hënën se një raketë balistike e lëshuar nga Irani që hyri në hapësirën ajrore turke u neutralizua nga mjetet ajrore dhe të mbrojtjes raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor.
“Turqia po preket nga konfliktet në të cilat nuk është palë”- i tha Erdogan homologut të tij iranian, ndërsa shtoi se Ankaraja nuk mbështet ndërhyrjet ndaj Iranit dhe gjithashtu është kundër shënjestrimi të vendeve të Gjirit Persik nga ana e Teheranit, për të cilat tha se nuk janë në interesin e askujt, ndaj sipas tij duhet të marrin fund.
Presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën për të rihapur derën e diplomacisë dhe tha se Turqia ka punuar në mënyrë aktive për të ndihmuar në lehtësimin e angazhimit diplomatik në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




