Tabaku: Tranzicioni është ulur këmbëkryq, “ngrënia e dardhave pas shpine” është një alibi e rënë përballë një sistemi të korruptuar që në gjenezë

Politikë | 8 muaj më parë

Gjatë analizës së saj në panelin e emisionit “Trialog” në RTSH, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për rënien e besimit tek institucionet e pavarura dhe instalimin e një sistemi ekonomik të bazuar tërësisht te klientelizmi.

Përballë moderatores Alba Alishani dhe analistëve, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, Tabaku theksoi se siguria që qytetarët kishin dikur te kontrolli i institucioneve të qeverisë nga KLSH, SPAK apo vetë gjyqësori, sot është lëkundur thellësisht nga standardet e dyfishta.

Gjykata e Lartë dhe standardi i dyfishtë për qytetarët

Një nga pikat më kritike të fjalës së saj ishte reagimi i sistemit të drejtësisë kur në bankën e të akuzuarve ulen qytetarët e thjeshtë, krahasuar me kohën kur aty gjenden funksionarët e lartë. Tabaku solli në vëmendje kontrastin e fortë social në zbatimin e masave të sigurisë.

“Sot më çuditi fakti që Gjykata e Lartë u kujtua për çështjen e paraburgimit, sepse është një funksionar i lartë në paraburgim. Po me të tjerët që u burgosën për çështje të energjisë elektrike apo ndërtime pa leje, që mbetën në paraburgim, çfarë do të bëhet?” pyeti Tabaku.

Sipas saj, ky moment sfidon drejtpërdrejt reformën në drejtësi, e cila është investimi më i madh ndërkombëtar në vend. Ajo ngriti gjithashtu një pyetje retorike mbi funksionin e Gjykatës Kushtetuese: “A ishte më mirë pa Gjykatë Kushtetuese që nuk kishte anëtarë, apo një Kushtetuese që i ka anëtarët, por që nuk i zbatohen vendimet?”

“Dardhat pas shpine” dhe rënia e sistemit

Duke iu referuar retorikës së Kryeministrit Edi Rama, i cili shpesh i ka cilësuar aferat korruptive të vartësve të tij si raste të izoluara ku zyrtarët “kanë ngrënë dardha pas kurrizit “, Tabaku u shpreh se kjo alibi nuk qëndron më.

Ajo kujtoi se drejtësia tashmë ka shkuar shumë pranë zyrës së kreut të qeverisë, duke theksuar se kemi të bëjmë me një sistem të tërë dhe jo me individë të shkëputur.

“Kemi dy zëvendëskryeministra që janë të akuzuar për korrupsion. Ky sistem po bie pak nga pak. Sistemi është i korruptuar që në gjenezë,” deklaroi ajo.

Taksa 30% dhe fundi i ekonomisë së tregut

Pasoja më e rëndë e këtij përqendrimi të pushtetit, sipas deputetes demokrate, po ndihet në ekonominë e vendit, e cila ka humbur çdo tipar të konkurrencës së lirë. Ajo bëri një denoncim për mënyrën se si ndahen fondet publike në Shqipëri.

“Çdo tender merret pasi paguhet taksa e 30% e korrupsionit. Tenderat ndahen pa asnjë garë reale, ndërsa konfliktet mes biznesmenëve shpërthejnë sepse “janë hapur zarfet” paraprakisht. Ekzistojnë kompani që mbijetojnë ekskluzivisht përmes fondeve shtetërore, duke vrarë konkurrencën e ndershme. Nuk ka më ekonomi tregu, por ekonomi tenderash. Tranzicioni është ulur këmbëkryq në çdo sferë të jetës,” përfundoi Tabaku.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme