Orkestra Simfonike e RTSH – Koncert i veçantë me kryeveprat e Beethoven
Një mbrëmje e veçantë muzikore u zhvillua në Sallën e Universitetit të Arteve, ku Orkestra Simfonike e RTSH-së solli për publikun një koncert me kryeveprat e pavdekshme të kompozitorit Ludëig van Beethoven.
Koncerti mblodhi një numër të madh artdashësish, të cilët përjetuan emocionet e muzikës klasike në një atmosferë të bukur.
Në program u interpretua “Triple Koncerti, Op. 56” për violinë, violonçel dhe piano, një vepër që kërkon virtuozitet dhe bashkëpunim të shkëlqyer mes solistëve dhe orkestrës.
Në skenë u ngjitën solistët e njohur Ermír Abeshi në violinë, Giuliano De Angelis në violonçel dhe Merita Rexha Tërshana në piano, të cilët sollën një interpretim të ndjerë dhe plot finesë.
Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, orkestra arriti të krijojë një dialog të harmonishëm mes instrumenteve, duke përcjellë tek publiku emocion dhe energji artistike.
“Ne interpretuam “Triple” të Beethoven, një vepër shumë e veçantë pasi ka 3 solistë në skenë, është një vepër shumë e bukur dhe e kam shijuar”, u shpreh pianistja Merita Rexha Tërshana.
“Është gjithëmonë një kënaqësi shumë e madhe dhe jam shumë i lumtur dhe jam gjithmonë i gatshëm të kthehem”, tha violinisti Ermir Abeshi.
Në pjesën e dytë të mbrëmjes u interpretua Simfonia Nr. 5 në Do minor, një nga veprat më ikonike të repertorit botëror, e njohur si simbol i fatit që troket në derë. Tingujt dramatikë dhe fuqia shprehëse e kësaj simfonie u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




