Ministri Hoxha: Diplomatët shqiptarë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët në Lindjen e Mesme

Politikë | 8 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar se shërbimi publik mbetet detyra dhe përgjegjësia kryesore e çdo funksionari shtetëror, përfshirë edhe anëtarët e shërbimit diplomatik.

Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se, për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, Ministria dhe përfaqësitë diplomatike shqiptare në vendet e prekura kanë qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë në rajon, duke ofruar informacion, këshillim dhe asistencë konsullore.

Ai shtoi se ka pasur koordinim të pandërprerë me autoritetet vendase për çdo nevojë apo situatë të mundshme.

Ministri shprehu falënderim dhe mirënjohje për diplomatët dhe stafin e shërbimit të jashtëm, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të kryejnë detyrën në rrethana komplekse dhe në kohë të trazuara, duke pasur si prioritet sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Hoxha nënvizoi se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të ndjekë me vëmendje zhvillimet në rajon dhe, në bashkëpunim me vendet mike e partnere, do të mbetet në gatishmëri për të reaguar në çdo situatë dhe për të mbështetur shqiptarët kudo që ndodhen.

Hoxha bëri të ditur gjithashtu se Kryeministri ka zhvilluar komunikime të drejtpërdrejta me diplomatët shqiptarë në terren, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë përfaqësi diplomatike në vendet e prekura nga kriza, ndryshe nga disa vende të tjera.

/rtsh,al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme