Lajthia dopietë, Elbasani “pushton” Vlorën dhe kap kreun

Abissnet Superiore | 8 muaj më parë

Elbasani ka arritur një fitore 2-1 në Vlorë përballë Flamurtarit në javën e 28-të të “Abissnet Superiore”, në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport.

Në stadiumin “Flamurtari”, verdheblutë e nisën mjaft mirë sfidën duke shënuar pas pesë minutash lojë me anë të Lajthisë, i cili u tregua i saktë me kokë brenda zonës vlonjate. Ndërkohë, Flamurtari pavarësisht përpjekjeve, nuk kishte qartësinë e duhur, sidomos në metrat e fundit.

Në pjesën e dytë emocionet arritën kulmin. Fillimisht vlonjatët humbën mundësinë e artë për të vendosur barazpeshën, Marku gaboi dy herë nga pika e bardhë. Kur nuk shënon e pëson dhe kjo u vërtetua më së miri, me Lajthinë që dyfishoi shifrat.

Vlonjatët u përgjigjën me një gol mjaft të bukur të shënuar nga Ramani, që rihapi sfidën. Dëmtimi i portierit të Elbasanit, Janacek, bëri që ndeshja të shtyhej me 17 minuta, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Me këtë fitore Elbasani ngjitet në kuotën e 52 pikëve, duke u barazuar me Vllazninë në vend të parë. Flamurtari mbetet me 24 pikë në vend të fundit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme