Berisha: Primaret forcojnë PD, pesë zonja në drejtim të degëve
Partia Demokratike zhvilloi më 16 mars një mbledhje të Kryesisë, ku kryetari Sali Berisha vuri në fokus procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe organizimin e partisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi rëndësinë e primareve si një traditë që konsolidon demokracinë e brendshme dhe fuqizon PD. Ai përgëzoi kryetarët e rinj të degëve të zgjedhur në Shkodër, Vlorë, Berat, Sarandë, Himarë dhe qytete të tjera, duke falënderuar anëtarësinë dhe organizatorët për pjesëmarrjen.
“Ky proces dëshmoi edhe njëherë se nuk duhet të heqim dorë nga primaret. Sa më shumë konsolidohet kjo traditë, aq më e fuqishme bëhet PD,” – u shpreh Berisha.
Në vijim, kreu i PD nënvizoi se zgjedhjet e brendshme kanë sjellë një dimension emancipues, me pesë zonja të zgjedhura në drejtim të degëve të partisë. Ai e cilësoi këtë si një hap pozitiv që tejkalon mentalitete të vjetra dhe paternaliste.
“Ky është një dimension vërtet emancipues dhe i përgëzoj ato zonja për guximin, përkushtimin dhe suksesin e tyre,” – tha Berisha.
Berisha shtoi se procesi i zgjedhjeve në degë do të finalizohet me Kuvendin e PD në fillim të qershorit, ndërsa paralelisht partia do të përgatitet për zgjedhjet vendore.
Ai e lidhi këtë proces me angazhimin e demokratëve për një kryengritje paqësore më 22 mars, të cilën e cilësoi si një betejë kundër akteve antikushtetuese dhe antiligjore të qeverisë.
“Protesta e datës 22 është frymëzim për çdo shqiptar dhe secili nga ne duhet të japë kryengritjen më maksimal në një kryengritje të fuqishme më 22 mars, kryengritje që duhet t’u japë përgjigjen më të merituar akteve antikombëtare, antikushtetuese, antiligjore të Edi Ramës, që përpiqet me çdo kusht të mbrojë veten dhe sojin e tij hajdut nga ligji dhe Kushtetuta.”, tha ai.
Ndërkohë,shtoi ai, duhet të përgëzoj të gjithë kryetarët e rinj të zgjedhur në degët e PD nga Shkodra në Vlorë, Berat, Sarandë, Himarë dhe qytete të tjera.
Sipas informacionit të siguruar, PD mbledh Kuvendin Kombëtar më 6 qershor, gjatë mbledhjes është vendosur që zgjedhjet në degët e PD-së në të gjithë vendin të përfundojnë deri më 30 prill.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




