Rezoluta për Iranin, Vangjeli: Të dyja palët politike në Tiranë po tregojnë paaftësi për të trajtuar me seriozitet politikën e jashtme, duke u “mbytur në një pikë uji”
Përpjekja e Shqipërisë për të pasur një zë dhe për të mbajtur një qëndrim zyrtar mbi atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, ka nxjerrë në pah atë që analisti Lorenc Vangjeli e quan një “sëmundje të politikës shqiptare”: amatorizmin dhe improvizimin.
I pranishëm në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e gazetares Alba Alishani, Vangjeli analizoi debatin rreth rezolutës së Kuvendit, e cila shpalli Gardën Revolucionare të Iranit dhe organizatën Hezbollah në Liban si organizata terroriste. Sipas tij, trajtimi i këtij instrumenti ndërkombëtar nga politika shqiptare ofron dy pamje: njërën qesharake dhe tjetrën dramatike.
Gjatë analizës së tij, Vangjeli theksoi absurditetin e mosmarrëveshjeve procedurale mes mazhorancës dhe opozitës për një çështje të këtij niveli. Ai u shpreh i habitur se çfarë e pengonte Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike që ta integronin këtë draft normalisht në rendin e ditës së Konferencës së Kryetarëve.
Kritika e tij më e mprehtë u drejtua drejt opozitës dhe mënyrës se si u artikulua qëndrimi i saj. Vangjeli e cilësoi si krejtësisht jashtë logjikës institucionale faktin që një parti politike merr atributet e shtetit.
“Nga ana tjetër, s’e kuptoj se çfarë e shtyn PD-në që të bëjë një shpallje, duke e vënë në gojë të një personi që ka qenë ish-president, ish-kryeministër dhe që është kryetar i PD-së [Sali Berisha], që si parti politike të shpallë një njësi si Garda Revolucionare e Iranit si një organizatë terroriste. A mund ta bëjë një parti politike këtë, apo duhet ta bëjnë institucionet shtetërore? Kjo duket si një shfaqje joserioze,” deklaroi Vangjeli.
Ai shtoi se të dyja palët politike në Tiranë po tregojnë paaftësi për të trajtuar me seriozitetin e duhur politikën e jashtme, duke u “mbytur në një pikë uji”.
Kostoja ekonomike dhe hendeku me qytetarët
Përtej politikës, analisti theksoi se Shqipëria nuk është e imunizuar nga pasojat e këtij konflikti. Kriza e Lindjes së Mesme ka mbërritur në vendin tonë në formën e një kostoje ndërkombëtare ekonomike, e reflektuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve që kërcënon buxhetet e familjeve shqiptare.
Por ajo që e bën situatën edhe më komplekse, sipas Vangjelit, është një ndarje e thellë dhe e heshtur mes qëndrimit të shtetit dhe perceptimit publik.
“Politika zyrtare, e majta dhe e djathta, është e rreshtuar në krah të SHBA-së, Izraelit dhe Perëndimit. Por nga ana tjetër, shumica dërrmuese e komentuesve anonimë në rrjetet sociale kanë një rreshtim të ndryshëm nga rreshtimi zyrtar i Shqipërisë; ata janë në anën e kundërt të llogores,” përfundoi analisti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




