BE në fazë të hershme diskutimesh për raportin e standardeve, Këshilli: Çdo parashikim është spekulim

Aktualitet | 8 muaj më parë

Këshilli i Bashkimit Europian ka përjashtuar çdo spekulim që mund të bëhet në këtë moment mbi miratimin ose jo të Raportit të Komisionit Europian për vlerësimin e përkohshëm të standardeve për Shqipërinë. Në përgjigje të interesimit të televizionit publik, ndërsa ka bërë të ditur mbajtjen e takimit të radhës së COELA-s, zëdhënësi i Këshillit për Çështje të Përgjithshme, Dimostenis Mamonas, konfirmoi se dokumenti është ende në diskutim në grupet e punës. Faza aktuale lidhet me hartimin e bazës për draftin e ardhshëm të qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së me shtetet anëtare që bëjnë pyetje dhe Komisionin Evropian që përgjigjet.

“Diskutimet janë ende duke vazhduar në Grupin e Punës të COELA-s, me shtetet anëtare që bëjnë pyetje dhe Komisionin që përgjigjet. Raundi i ardhshëm i shkëmbimeve është planifikuar për këtë të premte, 20 mars, dhe më shumë do të pasojnë në javët në vijim”, thuhet në përgjigjen e Mamonas.

Përmes zëdhënësit, Këshilli për çështjet e Përgjithshme një afat kohor tregues për arritjen e një marrëveshjeje mbi këtë Qëndrim të Përbashkët mund të ndodhë brenda disa javëve. 

“Është ende shumë herët për të thënë në këtë fazë mjaft paraprake të diskutimeve. Presidenca e Këshillit pritet të paraqesë një tekst për një draft të  vlerësimit të përkohshëm në javët në vijim, por nuk jemi ende atje pasi shkëmbimet e pikëpamjeve janë ende duke vazhduar brenda Grupit të Punës”, theksohet në reagim.

Duke i qëndruar asaj që e ka quajtur fazë e hershme e shkëmbimeve për këtë çështje, Mamonas është distancuar edhe nga një parashikim për natyrën dhe fushëveprimin e standardeve përmbyllëse që pritet të vendosen në fushën e Sundimit të Ligjit. 

“Kjo është një pyetje e pamundur për t’u përgjigjur, çdo supozim nga ana jonë do të ishte thjesht spekulativ në këtë fazë të hershme të shkëmbimeve, siç është shpjeguar më sipër”, thotë Mamonas.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme