“Pesë fytyrat e heshtjes” – Një dramë për dhunën, sjell në skenë historinë e një familjeje nën traumë
Premiera e shfaqjes “Pesë fytyrat e heshtjes”, me regji nga Ilir Bokshi, në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, riktheu formatin e veçantë skenik, ku publiku ishte i vendosur në të njëjtën platformë me aktorët.
Drama rrëfen historinë e një familjeje që jeton nën kontrollin dhe dhunën e Billit, një figurë dominuese që abuzon me bashkëshorten e tij, Merin dhe dy vajzat e tyre. Në thelb të saj, shfaqja trajton ndikimin afatgjatë të abuzimit, duke treguar se si ai vazhdon të ndikojë jetën e viktimave edhe kur abuzuesi nuk është fizikisht i pranishëm. Pas përfundimit të shfaqjes, aktorët u ndalën te mesazhi i fortë që përcjell kjo vepër.
“Është një temë shumë e rëndë dhe kërkon përqendrim, forcë dhe kurajë për të trajtuar këtë material. Kemi krijuar një shfaqje e cila i flet shoqërisë shqiptare”, u shpreh aktori Adrian Morina.
“Vet si shfaqje është një ngjarje e trishtë, është dhuna në familje, dhuna psikologjike, dhuna seksuale dhe këto ngjarje i dëgjojmë në Shqipëri dhe në nëpër botë”, tha aktori Nikolin Fërka.
Kjo shfaqje shënoi gjithashtu debutimin e aktores Ina Morinaj si pjesë e trupës së Teatrit “Migjeni”.
“Ishte kënaqësi dhe jam shumë e lumtur që shfaqja është pritur shumë mirë”, tha aktorja Ina Morinaj.
“Pesë fytyrat e heshtjes” do të vijojë të shfaqet edhe më 22 mars, në orën 19:00, duke ftuar publikun të përjetojë nga afër një dramë të fortë psikologjike dhe sociale.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




