Lufta në Lindjen e Mesme, sulmet vijojnë pavarësisht raportimeve për bisedime

Lindja e Mesme | 7 muaj më parë

Izraeli vijoi sulmet ndaj Iranit gjatë natës që lamë pas, duke goditur objekte të prodhimit të raketave në Teheran si dhe një objekt ku prodhohen mina detare në Yazd.  Edhe republika islamike sulmoi territorin izraelit por edhe vendet e tjera të gjirit, ku Kuvajti raportoi se dy porte të tij kishin pësuar dëme material për shkak të dronëve iraniane. Dronë u raportuan edhe në Arabinë Saudite.

Garda revolucionare e Iranit ndërkohë iu kërkoi civilëve në rajon që të qëndrojnë larg zonave ku ndodhen forcat amerikane.

“Forcat amerikano zioniste po përpiqen të përdorin civilët e pafajshëm si mburoja njerëzore”, u shpreh garda në një deklaratë në faqen e saj të internetit. Gjatë natës që lamë pas. Wall Street Journal raportoi se presidenti amerikan Donald Trump po shqyrtonte mundësinë e dërgimit të 10 mijë trupave të tjera tokësore në lindjen e mesme.

Një ditë më parë, presidenti Trump bëri me dije se kishte vendosur shtyrjen me 10 ditë të tjera të sulmeve të planifikuara ndaj objekteve energjetike të republikës islamike për shkak, siç u shpreh ai të bisedimeve shumë të mira dhe produktive me palën iraniane në lidhje me një ndërprerje të plotë të armiqësive. Zyrtarët iranianë ndërkohë kanë mohuar që po mbanin bisedime me SHBA-në, por Ministri i Jashtëm, Abaz Aragchi pranoi së fundmi se mes dy palëve po shkëmbeheshin mesazh përmes shteteve miqësore, por sipas tij këto shkëmbime nuk përbënin as dialog dhe as negociata. 

Ndërkohë, gjatë vizitës së presidentit ukrainas në Arabinë Saudite, është nënshkruar një marrëveshje mes këtyre dy vendeve, nën të cilën, Kievi do të mbështesë mbretërinë në zhvillimin e të gjithë përbërësve të nevojshëm të mbrojtjes ajrore për të cilën sauditët kanë nevojë. Ndërsa ende nuk dihet shumë për këtë marrëveshje, Ukraina  ka ofruar ekspertizën e saj në eliminim e dronëve rusë dhe ata iranianë që përdoren nga Rusia për të ndihmuar kombet e gjirit të adresojnë dronët Shaed të Iranit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme