Çmimet e karburantit, shkodranët kalojnë kufirin drejt Malit të Zi për furnizim më ekonomik

Ekonomi | 7 muaj më parë

Në mbledhjen e pasdites së të enjtes, Bordi i Transparencës caktoi çmimet tavan për karburantet, ku nafta nuk duhet të shitet më shumë se 203 lekë/litri, ndërsa benzina jo më shumë se 175 lekë/litri.

Megjithatë, ky vendim duket se nuk po zbatohet njësoj nga të gjitha pikat e karburanteve në Shkodër, pasi disa prej tyre i janë përmbajtur çmimeve të përcaktuara, ndërsa të tjera jo.

Pavarësisht kësaj uljeje të lehtë të çmimeve, shumë drejtues mjetesh vijojnë t’i drejtohen Malit të Zi për furnizim, pasi karburanti atje mbetet më i lirë krahasuar me tregun vendas.

“Te ne është më shtrenjtë nafta duke e krahasuar me Malin e Zi, furnizohem atje dhe më intereson”, u shpreh një qytetar.

Diferenca e çmimit, edhe pse mund të duket e vogël për litër, në total përbën një kursim të ndjeshëm për qytetarët.

Megjithatë  kjo situatë po sjell edhe shqetësime për tregun vendas të karburanteve, pasi një pjesë e konsumatorëve po zhvendosin blerjet jashtë vendit, duke ndikuar në uljen e shitjeve brenda Shqipërisë.

Gazetar: M. Rakaj    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme