Shefi i Shtabit të FA, Kingji, takime në Rumani për forcimin e bashkëpunimit shumëkombësh

Gjenerallejtënant Arben Kingji, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zhvilloi një vizitë pune në Rumani, ku u njoh nga afër me rolin dhe kontributin e Komandës së Korpusit Shumëkombësh Juglindor (HQ MNC-SE) në forcimin e Krahut Lindor të Aleancës së NATO-s.
Gjatë vizitës, Kingji e vlerësoi këtë strukturë si një shembull konkret të bashkëpunimit shumëkombësh dhe mbrojtjes kolektive, në funksion të garantimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Në vijim të agjendës, ai zhvilloi takime me Shefin e Shtabit të Korpusit, gjeneralmajor Costantin Nicolaescu, si dhe me komandantin e Grup-Batalionit të Forcave të Përparuara Tokësore, kolonel Florian De La Tousche. Diskutimet u fokusuan në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave.
Gjenerallejtënant Kingji u prit gjithashtu nga Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Rumune, gjeneral Gheorghiță Vlad, ku u riafirmua angazhimi i përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon e më gjerë.
Në përfundim të vizitës, Kingji shprehu mirënjohjen për mikpritjen e homologëve rumunë dhe theksoi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Rumanisë do të vijojnë të kontribuojnë së bashku në kuadër të Aleancës për mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e rajonit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








