Zelensky akuza Rusisë: Po i jep informacione dhe imazhe satelitore Iranit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzon Rusinë se po i jep Iranit informacione dhe imazhe satelitore për objektivat e sulmeve gjatë fushatës amerikano-izraelite kundër Teheranit.
“Ne e dimë se Rusia ka bërë imazhe me anë të satelitëve dhe i ndan këto informacione me regjimin iranian”, është shprehur presidenti ukrainas për mediat izraelite.
Sipas Zelenskyt, bashkëpunimi midis Rusisë dhe Iranit ka filluar që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Ai theksoi se rusët po ndihmojnë Iranin sepse kanë interes të zgjasin konfliktin sa më shumë që të jetë e mundur, duke shpërqendruar vëmendjen dhe burimet e Perëndimit.
Gjithashtu, Zelensky foli edhe për marrëdhëniet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Ai konfirmoi se gjatë dy viteve të fundit ka pasur shumë pak kontakte me Netanyahun, pasi ky i fundit përpiqet të balancojë marrëdhëniet me Moskën dhe Kievin.
Takimi i tyre i fundit ishte në tetor 2023, në mjediset e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe që atëherë kanë folur vetëm në telefon.
Kur u pyet për mesazhin që do t’i dërgonte Netanyahu-s, Zelensky u përgjigj se “ne kemi atë që i nevojitet atij, ai ka atë që na nevojitet neve… Jemi gati për këtë dialog.”
Ndërkohë, Zelensky ka dërguar personel ushtarak ukrainas në Jordani, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të ndihmuar në interceptimin e dronëve iranianë, duke u bazuar në përvojën e gjatë të Ukrainës kundër dronëve ruse të prodhuar nga Irani (Shahed).
Megjithatë, Izraeli ende nuk ka kërkuar ndihmë të drejtpërdrejtë nga Ukraina.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




