Skënder Hita betohet në krye të Policisë së Shtetit. Koçiu: Modernizimi dhe digjitalizimi i institucionit, detyrë thelbësore e tij
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së betimit të Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit, deklaroi se përzgjedhja e tij është një provë e qartë se karriera në Policinë e Shtetit ndërtohet mbi meritën, transparencën dhe integritetin.
Ajo theksoi se detyra e parë e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit është ruajtja e standarit të këtij insttucioni si një trupë profesionale e konsoliduar dhe e orientuar drejt modernizimit dhe digjitalizimit.
“Përzgjedhja e tij, provë e qartë se karriera në Policinë e Shtetit ndërtohet mbi meritën, transparencën dhe integritetin. Sot Policia e Shtetit, institucion në fazë të re zhvillimi. Si një trupë profesionale e konsoliduar, e orientuar qartë drejt modernizimit dhe digjitalizimit. Ky është standard që duhet ta ruajmë e ta çojmë më tej. Kjo është detyra e parë e drejtorit të ri, forcimi i këtij standardi në çdo hallkë, e kësaj organizate që në fakt është një nga organizatat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, e cila në çdo nivel të drejtimit dhe në çdo hallkë dhe ndërveprim me qytetarët duhet të ketë përparësi integritetin, profesionalizmin.
Sepse një polici moderne matet jo vetëm me rezultate operative, me aftësinë për t’u përshtatur sfidave të kohës. Policia e Shtetit ka arritur nivele të larta të zbulueshmërisë së veprave penale, kemi forcuar goditjen financiare të krimit përmes konfiskimit dhe sekuestrimit të aseteve kriminale”, tha Koçiu.
Zv.kryeministrja u ndal më tej te sfidat dhe objektivat që ka Policia e Shtetit, duke renditur këtu sundimin e ligjit, sigurinë, teknologjinë dhe digjitalizimin e shërbimeve.
Sipas saj, rritja e standardeve profesionale dhe institucionale në përputhje me praktikat europiane, është thelbësore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Sfidat janë gjithnjë e më të mëdha dhe mbeten komplekse. Objektivat tona janë të qarta: përmes detyrave që Policia e Shtetit ka që është integrimi i vendit, policia ka rol kyç si hallkë vendimtare sa i përket përmbushjes së kapitujve që lidhen me sundimin e ligjit dhe sigurinë. Kjo kërkon rritje të standardeve profesionale dhe institucionale në përputhje me praktikat më të mira europiane. Nga ana tjetër është teknologjia. Nuk mund të ndërtojmë policinë e së ardhmes pa përmirësuar instrumentet që kemi në dorë dhe janë përdorur në vazhdimësi nga Policia e Shtetit.
Digjitalizimi i shërbimeve, zbatimi i projekteve si Smart City, identiteti digjital, sistemet inteligjente, janë elementë thelbësorë për një polici moderne. Monitorimi inteligjent, analiza e të dhënave në kohë reale, reagimi i shpejtë, janë sot standard dhe jo zgjedhje”, u shpreh Koçiu.
Kjo e fundit vuri theksin te ripërtëritja e Policisë së Shtetit përmes afrimit të të rinjve në bazë meritokracie dhe përmes forcimit të integritetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



