Homeland Justice pretendon sulm kibernetik, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme mohojnë prekjen e sistemeve
Grupi iranian Homeland Justice pretendoi një sulm kibernetik ndaj Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme që i ka siguruar të dhëna dhe dokumente gjyqësore. Megjithatë, Gjykata e Lartë ka reaguar duke sqaruar se as faqja zyrtare, as sistemi i brendshëm nuk janë hakeruar.
“Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë nuk ka pësuar sulm kibernetik, por sipas pretendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, ka pësuar sulm kibernetik faqja gjykata.gov.al, e cila është në menaxhimin e plotë të KLGJ-së dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”, shkruhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se verifikimet nuk kanë konstatuar asnjë hakërrim.
“Për shkak të interesit në lidhje me hakerimin e mundshëm të faqes zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, ju bëjmë me dije se nga verifikimet e kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë kompromentuese deri në momentin që flasim, në formën e hakerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën” theksohet në njoftim e Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo vjen pak ditë pas një sulmi të Homeland Justice, ndaj Postës Shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




