Shtyhet seanca, avokati Ndreca: Veliaj, gati ta mbrojë vetë çështjen. Prokurorët po veprojnë në mënyrë emocionale larg rolit të tyre
Avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Plarent Ndreca, deklaroi se prokurorët e SPAK nuk po veprojnë në përputhje me rolin e tyre, duke u treguar “pak emocionalë” dhe të nxituar për të çuar përpara një proces masiv e voluminoz.
Pas shtyrjes së seancës më 3 prill, Ndreca tha se dosja është voluminoze dhe se mbrojtjes i duhet kohë për t’u njohur dhe përgatitur, ndërsa akuzoi prokurorët për shkelje të të drejtave kushtetuese.
“Ka një nxitim për të zhvilluar një proces që ka humbur një shkallë gjykimi, duke mos i dhënë mundësinë Veliajt të mbrohet. Nuk e kuptoj këtë nxitim për të cenuar të drejtat kushtetuese, siç ishte edhe rasti sot kur një avokat me raport mjekësor kërkoi shtyrjen e seancës. Nuk ka asnjë strategji për ta shtyrë procesin, por për ta njohur çështjen në themel, për të analizuar mbrojtjen dhe për të ndërtuar ekipin me avokatë dhe ekspertë. Ndërkohë, SPAK ka pasur në dispozicion për dy vite të gjitha burimet për të ndërtuar këtë dosje,” u shpreh Ndreca.
Ndreca bëri të ditur se Veliaj ka nisur të lexojë dosjen me ritëm të lartë dhe është gati të mbrojë çështjen edhe vetë, duke qenë i pranishëm në seancat e ardhshme.
“Do të bëjmë kërkesë që gjykimi të jetë publik dhe qytetarët të kenë mundësi të ndjekin procesin. Veliaj është i vendosur të nxjerrë të vërtetën dhe nuk ka asnjë strategji për ta shtyrë,” përfundoi ai.
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), seanca e parashikuar për çështjen ku është i përfshirë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shty sërish. Trupa gjykuese caktoi datën 3 prill, ora 09:00 për mbajtjen e seancës së radhës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




