Apeli i GJKKO la në fuqi dënimin me 2 vite burg, Jorgo Goro rikthehet në burg

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer në qeli pas një vendimi të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së. Ai është paraqitur pasditen e djeshme (1 prill) në Komisariatin e Vlorës, ku është bërë edhe ekzekutimi i masës “arrest me burg”.

Goro ndodhet në dhomat e izolimit në komisariatin e Vlorës dhe pritet të qëndrojë aty deri në daljen e vendimit se në cilin burg do shlyejë dënimin.

Vendimi i Apelit konfirmoi dënimin me 2 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, është reduktuar në 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Sipas përllogaritjeve të bëra nga SPAK, duke marrë në konsideratë kohën e kaluar në paraburgim, Goros i mbeten për të vuajtur edhe 6 muaj e 10 ditë.

Çështja për të cilën ai është dënuar lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës. Për këtë rast, ai ishte shpallur fajtor edhe në shkallë të parë nga Gjykata e Posaçme më 30 korrik 2025.

Ndërkohë, Goro ka vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë. Edhe në atë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, duke u liruar më herët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme