Rama: Janë kryer 300 mijë legalizime, kanë mbetur edhe 70 mijë. Sistem i ri për të lehtësuar procesin
Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga njësia 14 në Tiranë se po ndërtohet një sistem për të qartësuar dhe lehtësuar procesin e legalizimit të pronave.
“Që legalizimet janë një proces i vështirë kjo as nuk diskutohet sepse janë bërë afro 300 mijë, por ka edhe një numër rreth 70 mijë që duhen bërë.
Ndërkohë që një pjesë e tyre janë problem sepse janë të pamundur nga ligji aktual, jo është mbi kolektor, jo është mbi rrugë por gjithsesi një pjesë tjetër duhen bërë sepse mund të bëhen”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit Rama, pjesa problematike në procesin e legalizimit të pronave “është që pse dikush që pret legalizimin që në vitin 2010-n duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush tjetër që e ka bërë kërkesën në 2018-n duhet të marrë përpara”.
Për këtë arsye, Rama tha se do të krijohet një sistem me kritere të qarta për të lehtësuar procesin e legalizimit.
“Më e drejta është koha e regjistrimit, pra ajo që mua më shqetëson, është që pse dikush që pret legalizimin që në vitin 2010-n duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush tjetër që e ka bërë kërkesën në 2018-n duhet të marrë përpara.
Kështu që ajo që kemi kërkuar dhe do të bëhet, do të bëhet një sistem me kritere të qarta, me vite, dhe njerëzve do t’u thuhet; prit se jemi akoma te viti ‘X”, tha më tej kreu i qeverisë.
Ai shtoi se krijimi i këtij sistemi do të krijojë më shumë qartësi për njerëzit.
“Por ama nuk do të jetë e mundur që do të bëhet kapërcim në sistem; kape njërin se më pëlqen mua ta bëj dhe e çoj këtu.
Kjo do të krijojë më shumë qartësi për njerëzit dhe bashkitë kanë rolin e tyre.
Do të përpiqemi të krijojmë edhe më shumë kapacitet duke përdorur edhe njësitë bashkiake, edhe koordinatorët, kryepleqtë, për të pasur më shumë ritëm procesi”, nënvizoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




