Trump sulmon NATO-n për Iranin – Macron i përgjigjet: Operacioni ushtarak në Hormuz është jorealist
Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump i bëri sërish thirrje vendeve të NATO-s të dërgojnë anije në Ngushticën e Hormuzit. Në një reagim të drejtpërdrejtë, Trump u kërkoi aleatëve të tregojnë guxim dhe të marrin përgjegjësi për të hapur një nga rrugët më të rëndësishme të naftës në botë.
Por, pavarësisht kërkesës, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se vendi i tij se nuk ka nevojë për ta, duke shtuar me ironi se “nëse do t’i duheshin, ata nuk do të ishin aty”. Nga ana tjetër, Presidenti francez Macron iu përgjigj menjëherë kritikave, duke e quajtur një operacion të tillë ushtarak si krejtësisht jorealist.
Macron theksoi se Franca nuk do të bëhet pjesë e një lufte që amerikanët e nisën vetë me Izraelin, ndërsa zgjidhja tha se duhet të vijë vetëm përmes dialogut. Më herët në një fjalim drejtuar kombit, Trump deklaroi se SHBA është pranë arritjes së objektivave ushtarake në Iran dhe paralajmëroi goditje edhe më të forta.
“Do ta godasim jashtëzakonisht fort në javët e ardhshme”, u shpreh ai, duke kërcënuar edhe sektorin energjetik iranian. Nga ana tjetër, Irani reagoi me tone të ashpra, duke paralajmëruar kundërpërgjigje shkatërruese ndaj çdo sulmi të ri. “Prisni veprimet tona më të forta”, deklaroi një zëdhënës ushtarak iranian, duke shtuar se objektivat strategjikë mbeten të paprekur.
Situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer sulme me raketa gjatë orëve të fundit. Raportohet për të plagosur dhe dëme materiale, ndërsa sulmet kanë prekur edhe objekte civile dhe kërkimore.
Paralelisht, vendet e Gjirit kanë ndërhyrë për të kapur raketa dhe dronë, ndërsa SHBA ka paralajmëruar qytetarët e saj të largohen nga Iraku. Në këtë klimë pasigurie, tregjet kanë reaguar menjëherë, me çmimin e naftës që është rritur ndjeshëm, duke reflektuar frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




