Seanca në GJKKO ndaj Veliajt, mungon kryebashkiaku: Do jem prezent pasi të kem lexuar dosjen

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca në themel për dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë.
Në këtë seancë, është kërkuar prezenca e ish-policit të paraburgimit në Durrës, Fatjon Barci, i cili u shoqërua nga policia e burgjeve dhe u paraqit në gjykatë, pas kërkesës së mëparshme të trupit gjykues. Mungesa e tij dhe e avokatit mbrojtës në seancën e kaluar solli dhe shtyrjen e procesit.
Ndërkohë, Veliaj nuk ka qenë i pranishëm fizikisht në sallë. Ai ka dërguar një shkresë gjykatës ku sqaron se është duke lexuar dosjen voluminoze të dërguar në IEVP Durrës dhe se do të paraqitet personalisht në ditët në vijim.
“Përfaqësohem nga Plarent Ndreca dhe do të jem prezent pasi të kem lexuar të gjitha aktet hetimore në paraburgimin e Durrësit”, ka deklaruar ai.
Sa i përket organit të akuzës, seanca u përfaqësua vetëm nga prokurori Ols Dado, ndërsa mungoi Altin Dumani.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



