BBC: Më shumë se 200,000 ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë, 57% e viktimave janë nga burgjet dhe fronti vullnetar

Numri i ushtarëve rusë të vrarë që nga nisja e sulmit të Moskës ndaj Ukrainës ka arritur në 207,522, sipas një raporti të përbashkët të shërbimit rus të BBC-së, faqes së gazetarisë investigative Mediazona dhe një grupi vullnetarësh.
Shifra është bazuar në të dhëna të hapura, duke u verifikuar rast pas rasti.
Sipas raportit, më shumë se gjysma e të vrarëve – rreth 57% – janë vullnetarë, rekrutë dhe të dënuar që vuajnë dënime me burg, të cilët u rekrutuan nga kolonitë penale për t’u dërguar në front.
Asnjëri prej tyre nuk kishte lidhje me ushtrinë ruse para nisjes së luftës.
BBC raporton se gjatë pushtimit të plotë rus të Ukrainës janë vrarë 19,583 ushtarë rusë nën moshën 25 vjeç, ndërsa ushtari më i ri i identifikuar i vrarë ishte vetëm 18 vjeç e 31 ditë.
Aktualisht, përqindja e ushtarakëve rusë të vrarë në luftë të moshës 18 deri në 35 vjeç është 11%, ndërsa shumica e të vrarëve të identifikuar i përkasin grupmoshës 36 deri në 45 vjeç.
Ky bilanc i rëndë i humbjeve njerëzore tregon se Rusia ka përdorur masivisht burime njerëzore nga shtresat më të brishta të shoqërisë, përfshirë të rinjtë dhe të dënuarit, duke e bërë koston njerëzore të luftës edhe më të lartë.
Raporti i BBC dhe Mediazona vjen në një kohë kur autoritetet ruse vazhdojnë të censurojnë informacionin mbi numrin e viktimave, ndërsa burimet e pavarura përpiqen të dokumentojnë realitetin e luftës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




