Prishen tre ndërtime të paligjshme mbi kanalin e ujërave të larta në Vlorë

Tre banesa të ndërtuara në mënyrë të paligjshme mbi kanalin e ujërave të larta në qytetin e Vlorës janë prishur sot, në kuadër të një aksioni të ndërmarrë për garantimin e funksionimit normal të infrastrukturës kulluese dhe parandalimin e përmbytjeve.
Aksioni u realizua nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Në terren ishte e pranishme edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cila theksoi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për lirimin e plotë të kanalit dhe rikthimin e kapaciteteve të tij funksionale.
Sipas saj, këto ndërtime kishin krijuar pengesa serioze në qarkullimin e ujërave, duke shkaktuar ndër vite përmbytje në zonat përreth.
Bashkia e Vlorës bën me dije se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në pastrimin përfundimtar të kanalit nga çdo ndërtim i paligjshëm.
Njëkohësisht, autoritetet lokale sigurojnë se familjet e prekura nga ky proces do të trajtohen me mbështetje sociale, përmes përfitimit të bonusit të banesës dhe programeve të strehimit social.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




