Trump kërcënon Iranin: Një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte. Teherani: Përgjigje përtej rajonit nëse SHBA kalon “vijën e kuqe”

Kriza mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në një fazë të re tensioni, me deklarata të forta nga të dyja palët. Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Teheranit, duke thënë se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer më kurrë”. Ai e lidhi këtë me afatin e vendosur për rihapjen e ngushticës së Hormuzit, duke shtuar se mund të jetë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e botës.
“Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer më kurrë. Unë nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë. Megjithatë, tani që kemi ndryshim të plotë dhe total të regjimit, ku mbizotërojnë mendje të ndryshme, më të zgjuara dhe më pak të radikalizuara, ndoshta diçka revolucionare e mrekullueshme mund të ndodhë. Kush e di? Do ta zbulojmë sonte, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të Botës. 47 vjet zhvatje, korrupsion dhe vdekje, më në fund do të përfundojnë. Zoti e bekoftë popullin e madh të Iranit!”, shkruan ai në Truth Social.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ka reaguar duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj objekteve civile do të marrë një përgjigje të ashpër, e cila nuk do të kufizohet vetëm në rajon.
“Amerikën dhe aleatët e saj do t’i privojmë nga nafta dhe gazi për shumë vite. Përgjigja jonë do të shtrihet përtej rajonit nëse SHBA kalon vijat e kuqe”, thuhet në deklaratën e IRGC.
Këto deklarata vijnë në një moment kritik, kur raportimet flasin për sulme të mundshme ndaj infrastrukturës së naftës në Iran dhe për përplasje të reja ushtarake në rajon. Tensionet e rritura kanë ngjallur shqetësim ndërkombëtar, me paralajmërime se situata mund të dalë jashtë kontrollit nëse nuk gjendet një zgjidhje diplomatike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




