Propozimi për uljen e çmimit të naftës, PD kërkon shqyrtim me procedurë të përshpejtuar: Situata është emergjente!

Politikë | 7 muaj më parë

Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës.

Grupi parlamentar i opozitës kërkon që ky propozim të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit, si një masë emergjente që do të sillte shmangien e pasojave ekonomike që rëndojnë mbi qytetarët.

Propozimi i Partisë Demokratike kërkon vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse. Thënë ndryshe, e gjithë TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit do të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës. Nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.

“Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburantit në Evropë dhe Botë, ndonëse renditemi në vendet e fundit të listës përsa i përket nivelit të të ardhurave të përgjithshme dhe për frymë. Një prej arsyeve kryesore të çmimit tejet të lartë të karburanteve, është pikërisht edhe niveli i lartë i taksës së qarkullimit, e cila pasi ngarkohet edhe me normën e TVSH-së, përbën një peshë të konsiderueshme të çmimit final të litrit të karburantit.“, thuhet në shkresën e PD.

PD argumenton se projektligji synon të adresojë mungesën aktuale të një mekanizmi të integruar reagimi ndaj krizave energjetike, ndërsa shton se rritja e naftës mund të ketë pasoja edhe në produkte të tjera jetësore.

“Me shpresën se secili deputet i Kuvendit të Shqipërisë bashkëndanë shqetësimin tonë për rritjen e papërballueshme të çmimit të karburanteve për çdo qytetarë shqiptarë, me pasoja edhe në rritjen e produkteve të tjera jetësore, kërkojmë miratimin e kësaj kërkese.”, thuhet më tej në kërkesën e PD

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme