Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Ilir Metës, mbetet në fuqi masa “arrest në burg”

Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot, me shumicë votash, të rrëzojë kërkesën e ish-Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”. Me këtë vendim, instanca më e lartë e drejtësisë në vend lë në fuqi vendimet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe Gjykatës së Lartë, duke bërë që Meta të vazhdojë të qëndrojë në qeli.
Në seancën plenare të datës 8 prill 2026, trupa gjykuese shqyrtoi pretendimet e palëve dhe arriti në përfundimin se nuk ka shkelje kushtetuese në masën e dhënë ndaj kërkuesit.
Pika më e rëndësishme e vendimit lidhet me bazueshmërinë e masës së sigurisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, në dosjen penale ekzistojnë fakte dhe informacione të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se veprat penale për të cilat Meta akuzohet mund të jenë kryer.
Gjykata vlerësoi se liria e ish-kreut të shtetit nuk është kufizuar në mënyrë arbitrare.
“Masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është e vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit,” theksohet në zbardhjen e vendimit.
Pretendimet për arrestim të dhunshëm
Një pjesë e rëndësishme e kërkesës së Ilir Metës lidhej me mënyrën e ekzekutimit të arrestimit nga Policia e Shtetit më datë 21 tetor 2024. Mbrojtja pretendoi cenim të së drejtës për të mos iu nënshtruar trajtimit mizor dhe çnjerëzor (Neni 25 i Kushtetutës).
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, e cila ka rol subsidiar (vepron vetëm kur shterojnë mjetet e tjera), vendosi të mos e shqyrtojë këtë pikë në këtë moment. Arsyeja është se për këtë ngjarje po zhvillohet aktualisht një hetim paralel.
Në vitin 2025, kërkuesi ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës. Është regjistruar procedimi për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” (neni 250 i Kodit Penal). Përderisa gjykatat e juridiksionit të zakonshëm nuk kanë dhënë ende një vendim përfundimtar për këtë incident, Kushtetuesja nuk mund të ndërhyjë.
Historiku i përballjes
Me këtë vendim mbyllen shkallët e ankimit brenda vendit për sa i përket masës së arrestit. Gjykata Kushtetuese legjitimoi të drejtën e Metës për të bërë ankesë, por rrëzoi në themel kërkesën për të zhbërë zinxhirin e vendimeve të mëparshme, konkretisht:
Vendimin e datës 20 dhe 23 tetor 2024, që caktoi masën fillestare.
Vendimin e datës 19 nëntor 2024, që la në fuqi masën.
Vendimin e datës 27 shkurt 2025 nga Kolegji Penal, që refuzoi ndryshimin e masës.
Tashmë, ish-Presidenti do të duhet të përballet me thelbin e procesit hetimor nën masën e arrestit me burg, ndërkohë që beteja e tij e radhës mbetet përfundimi i hetimeve nga SPAK dhe nisja e gjykimit në themel.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




