Rritje e çmimeve, Ibrahimaj: Qeveria po monitoron tregun dhe do të subvencionojë shtresat në nevojë 

Ekonomi | 7 muaj më parë

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave këtë të premte, më 10 prill, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, doli në një konferencë për shtyp ku prezantoi vendimet e miratuara dhe foli për situatën e çmimeve në treg.

Ajo theksoi se qeveria po monitoron me kujdes lëvizjet e çmimeve, sidomos tek produktet e shportës, ku ditët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme tek frutat dhe akoma më shumë tek perimet.

Një nga elementët kryesorë të projektligjit ishte përjashtimi tatimor për personat e verbër. “Ne kemi bërë një rregullim ligjor që parashikon që për të gjithë ata persona të verbër do të vijojmë të kemi një përjashtim tatimor dhe do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale që legjislacioni ynë ka,” deklaroi Ibrahimaj. 

Ministrja u ndal edhe te çmimet e produkteve ushqimore, duke theksuar se ditët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e çmimeve të frutave dhe sidomos të perimeve. 

 “Dje bëmë një ulje domethënëse të çmimit të naftës. Në bazë ditore ne monitorojmë çmimet dhe çdo ditë me qëllim që të garantojmë që çmimet në tabelë janë ato që reflektojnë ndryshimet e fundit. Ditët e fundit, që nga mesi i muajit mars, kemi parë një rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve që kanë ndikuar në shportë. Inflacioni shënoi 2.6% me rritje të lehtë. Kemi monitoruar çmimet në njësi tregtare, qoftë fruta-perime por edhe të gjitha produktet e shportës. Reflektimi ka ndodhur në kategorinë e perimeve, ndërsa kategoritë e tjera të çmimeve nuk kanë pasur rritje,” tha Ibrahimaj. 

Duke iu referuar përvojës së krizës së ushqimeve pas luftës në Ukrainë, ministrja paralajmëroi se qeveria është e përgatitur të ndërhyjë për të mbrojtur shtresat më të prekura. 

 “Nga eksperienca e luftës së Ukrainës, në të gjithë botën u materializua një rritje e inflacionit të ushqimeve. Do të kujdesemi të subvencionojmë shtresat në nevojë. Pasojat e luftës në Lindjen e Mesme do të kenë ndikim minimal në ekonominë shqiptare dhe më konkretisht në shtresat që nuk mund të përballojnë më rritje të çmimeve,” u shpreh ministrja. 

Ajo shtoi se produktet e shportës janë mbi 80 dhe asnjë nga kategoritë e tjera nuk ka pësuar rritje për shkak të situatës ndërkombëtare. 

 “Inflacioni në muajin mars shënoi nivelin 2.6%, që është një nivel i kontrollueshëm. Në rast se do të vazhdojë të ketë një rritje të mëtejshme, do të ndërhyjmë me një akt që parashikon subvencionim për rritjen e çmimeve për kategoritë në nevojë,” përfundoi Ibrahimaj. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme