Komunitetet fetare mesazhe uniteti në Samitin e Diasporës, thirrje për paqe, bashkim dhe vlera të përbashkëta
Komunitetet fetare hapën ditën e tretë të punimeve të Samitit të Diasporës me mesazhe uniteti dhe bekimi në “Mëngjesin e Vëllazërimit”.
Peshkopi i Kryedioqezës së Shqipërisë në Boston, Nikodhim Preston, në fjalën e tij theksoi përulësinë dhe rëndësinë e reflektimit shpirtëror, duke iu referuar edhe frymëzimit nga Fan Noli.
Më pas, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Baba Mondi, përcolli një mesazh për bashkim dhe mirësi, duke bekuar gjithashtu flamurin kombëtar. Ai bëri thirrje për më shumë unitet dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët.
Nga ana e tij, Erion Sylari nga Vëllazëria Ungjillore u lut për harmoni fetare dhe solidaritet mes shqiptarëve, duke theksuar se vendi u përket të gjithëve dhe se qytetarët duhet të përballojnë sfidat me urtësi dhe forcë.
Përfaqësuesi i Bashkësisë Katolike në Bruksel, Don Kastriot Idrizi, ngriti lutje për diasporën shqiptare, duke vlerësuar sakrificat e atyre që jetojnë larg atdheut dhe duke kërkuar që ata të mos humbasin shpresën, dashurinë dhe ndjenjën e paqes.
Ndërkohë, imami nga Qendra Islame Shqiptare në New York dhe New Jersey, Rifat Halili, vendosi theksin te bashkëjetesa fetare dhe uniteti kombëtar. Ai u lut për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve, drejtësi në qeverisje dhe për një shoqëri të ndërtuar mbi dashuri, mëshirë dhe mirëkuptim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




