Samiti/ Jaupaj: Diaspora, thelbësore për kapërcimin e sfidave mjedisore. Motor të tranzicionit të gjelbër në Shqipëri
Roli i diasporës shqiptare në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm ishte në fokus të diskutimeve në ditën e tretë të Samitit të IV të Diasporës, ku Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi.
Gjatë fjalës së tij, Jaupaj u ndal te sfidat dhe prioritetet që lidhen me Kapitullin 27 të negociatave me Bashkimin Evropian, i cili konsiderohet një nga më kompleksët dhe më të kushtueshmit. Ai e cilësoi këtë kapitull si një “lokomotivë të rëndë” që përfshin fusha jetike si cilësia e ujit, menaxhimi i mbetjeve, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e natyrës.
Sipas tij, Shqipëria përballet me një volum të madh pune ligjore, ku brenda rreth një viti e gjysmë duhet të miratohen rreth 400 akte ligjore dhe nënligjore për të përafruar legjislacionin me atë të BE-së. Në këtë proces janë të angazhuara 29 institucione.
“Çështjet e mjedisit, janë ato që ne i konsiderojmë lidhje të dobishme në negociatat me BE-në. Kapitulli 27 është një nga ato lokomotivat e rënda që do e çojmë përpara.
Për Shqipërinë është kapitulli më i kushtueshëm sepse përfshin 10 fusha që lidhen me cilësinë e jetës dhe shëndetin e publikut. Duke nisur nga cilësia e ujit, ujërat e ndotur, menaxhimi i mbetjeve, ndryshimet klimatike, zonat e ,mbrojtura, natyra, kimikatet, etj,.
Në ministrinë që unë drejtoj jemi bashkë me 29 institucione që po çojmë para punën e kapitullit të 27.
Për gati 1 vit e gjysmë do duhet të miratojmë 400 akte ligjore dhe nënligjore që formësojnë kuadrin ligjor të BE-së. Kjo nuk mjafton”, deklaroi Jaupaj.
Ministri theksoi se përveç kostove të larta publike për integrimin mjedisor, një rol të rëndësishëm duhet të luajë edhe sektori privat, veçanërisht në drejtim të transformimit të gjelbër. Në këtë aspekt, ai vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare, e cila ka sjellë në vend modele bashkëkohore në fusha si ekonomia qarkulluese, riciklimi dhe menaxhimi i qëndrueshëm.
Një nga iniciativat konkrete të prezantuara ishte programi “Krijo dhe Qarkullo”, që synon të përfshijë bizneset e diasporës në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. Po ashtu, ai vuri në dukje rëndësinë e zonave të mbrojtura, që përbëjnë rreth 22% të territorit të vendit dhe janë një aset i rëndësishëm për turizmin.
“Ne kemi punuar për nxjerrjen e kostos financiare, sa kushton integrimi mjedisor i Shqipërisë në BE dhe kjo është kosto e lartë. Këtu flasim vetëm për investimet publike, por harrojmë se sektori privat duhet të japë kontributin e tij në transformimin e gjelbër apo agjendën e gjelbër. Sektori privat është shumë përpara sektorit publik sa i përket investimeve.
Janë shqiptarët e diasporës ata që kanë sjellë modelet më të mira në Shqipëri, janë përballur për herë të parë me koncepte si; ndryshimet klimatike, ekonomia qarkulluese, riciklimi, ripërdorimi, etj,.
Për shumë arsye dhe në një program të veçantë që Ministria e Mjedisit po bën në angazhimin e këtyre bizneseve “krijo dhe qarkullo” bizneset janë ato të shqiptarëve të diasporës.
Një aspekt i veçantë që ministria e mjedisit çon përpara janë dhe ato që ne i konsiderojmë zona të mbrojtura. Rreth 22% të territorit është zonë e mbrojtur, janë një nga pasaportat e rëndësishme të Shqipërisë për sektorin e turizmit. Po ecim para me plane menaxhimi dhe duam të prezantojmë atë që quhet ekonomia e qëndrueshme e komuniteteve që jetojnë në këto zona”, theksoi ai.
Në këtë kuadër, Jaupaj prezantoi edhe nismën “Paketa e Maleve”, e cila synon të zhvillojë ekoturizmin dhe të nxisë investimet në zonat malore. Ai bëri thirrje për angazhimin e diasporës në këtë sektor, duke theksuar se turizmi natyror po merr një rol gjithnjë e më të madh, me një rritje të vizitorëve drejt zonave të brendshme të vendit.
“”Paketa e Maleve”- të sjellim një ekselencë të ekoturizmit. Në Shqipëri sektori i turizmit është shumë i rëndësishëm. E rëndësishme që 60% e vizitorëve në 2025-ën zgjodhën pjesën qendrore dhe të thellë të vendit, parqe kombëtare, male, liqene, etj,.
Ftoj gjithë shqiptarët e diasporës që kanë dëshirë të angazhohen në eko-turizëm që të aplikojnë në Paketën e Maleve. Ne e kemi plotësuar hartën në gjithë bashkitë e vendit që të prezantojmë praktika ekologjike dhe të shëndetshme për turizmin”, shtoi ai.
Sa i përket energjisë, ministri u shpreh se Shqipëria është lider në rajon për përdorimin e energjisë së rinovueshme, ku rreth 99% e prodhimit vjen nga burime hidrike dhe solare, me zhvillime të fundit edhe në energjinë e erës.
Në përfundim, Jaupaj nënvizoi se një nga sfidat mbetet mungesa e ekspertëve të specializuar në disa fusha të mjedisit, duke shtuar se për këtë arsye po kërkohet gjithnjë e më shumë angazhimi i profesionistëve shqiptarë nga diaspora.
“Shqipëria te zbatimi i agjendës së gjelbër kemi dhe energjinë e rinovueshme.
Po ecën me ritme të shpejta. I vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, kalojmë dhe Finlandën për përqindjen e energjisë së rinovueshme. Rreth 99% e energjisë së Shqipërisë vjen nga sistemet hidrike dhe solare. Duke shtuar së fundmi dhe sistemet eolike.
Është një treg që kërkon dhe angazhime nga shqiptarët e diasporës që duan të angazhohen në sektorin e energjisë së rinovueshme. Dhe sigurisht dhe energjitë e pastra që mbeten aspekt kryesor që qeveria po çon përpara me programe të shumta.
Kur negociojmë me kapitullin 27, gjendemi para faktit që për disa elementë të caktuar të mjedisit, Shqipëria nuk ka mjaftueshëm ekspertë që janë të thelluar në fusha të caktuara. Jemi përpjekur të angazhojmë shqiptarët e diasporës”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




