Zhupa akuza qeverisë për samitin e diasporës: E përdorët për qëllime elektorale! Hoxha: Ishte një sukses i padiskutueshëm

Politikë | 7 muaj më parë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar qeverinë se ka injoruar Kuvendin dhe strukturat parlamentare në organizimin e Samitit të IV të Diasporës, duke e cilësuar atë si një aktivitet me karakter propagandistik.

Në fjalën e saj, Zhupa u shpreh se deputetët dhe Komisioni Parlamentar për Diasporën nuk u përfshinë në organizimin e samitit, ndërsa theksoi se ky aktivitet duhej të kishte objektiva të qarta. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi pjesëmarrjen e Taulant Ballës si folës, duke kërkuar sqarime mbi rolin e tij në këtë aktivitet.

“Qeveria injoroi Kuvendin, nuk e pa të nevojshme të përfshinte deputetët e Kuvendit dhe Komisionin Parlamentar të Diasporës për të qenë pjesë dhe për të organizuar një samit që i shërbente diasporës. Ky samit duhej të niste nga ajo çfarë u bë në tre samitet e mëparshme dhe cilat janë objektivat e të katërtit, ndërsa ju e kthyet në një samit propagandistik. Pasi publikuat agjendën finale, si u gjet folës Taulant Balla dhe me ç’tagër ishte atje?”, deklaroi Zhupa.

Ajo shtoi se për çështje të rëndësishme, si shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duhet bashkëpunim dhe qëndrime të përbashkëta në Kuvend.

“Ju çdo gjë e përdorni për politikë dhe për qëllime elektorale. Kur vjen puna te shqiptarët e RMV-së, duhet të bashkohemi për të bërë një deklaratë të përbashkët të Kuvendit”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se samiti i katërt i diasporës ishte një sukses i padiskutueshëm dhe një takim me përmbajtje të gjerë.

Ai theksoi se gjatë samitit janë trajtuar çështje të rëndësishme për diasporën dhe Shqipërinë, duke shtuar se për herë të parë fokusi ka qenë te bashkëpunimi i ndërsjellë dhe jo vetëm te kontributi i diasporës.

“Për samitin, nga analizat paraprake, samiti i IV ishte një sukses i padiskutueshëm, një takim përmbajtësor. Kemi trajtuar spektrin më të gjerë të të gjitha çështjeve me rëndësi për diasporën dhe për ne. Për herë të parë ne nuk i kërkuam diasporës të na thotë se çfarë mund të bëjë ajo për ne, por çfarë mund të bëjmë së bashku.

Pas një dekade kemi arritur pjekuri të mjaftueshme për të kaluar në një nivel tjetër, dhe ky nivel është të gjejmë mekanizmat, format, mënyrat dhe platformat për të qenë të bashkëangazhuar. Diaspora është vazhdim i Shqipërisë jashtë vendit, është një aktor”, tha Hoxha.

Sa i përket çështjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Hoxha u shpreh se situata duhet të zgjidhet brenda institucioneve të këtij vendi, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe në respekt të të drejtave të komunitetit shqiptar atje.

Ministri theksoi gjithashtu se pas një dekade përpjekjesh, tashmë është arritur një nivel i ri bashkëpunimi me diasporën, e cila sipas tij duhet parë si një aktor i rëndësishëm dhe një vazhdim i Shqipërisë jashtë kufijve.

“Jemi të vëmendshëm, është një problem që duhet zgjidhur në RMV, në Kuvendin e saj, nga aktorët politikë atje, në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit dhe në respekt të të drejtave të patjetërsueshme të komunitetit shtetformues shqiptar në RMV”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme