Pengmarrje në Kiev-Zelensky: 5 persona janë vrarë brenda një supermarketi, 10 të shtruar në spital. Autoritet: S’ka lidhje me luftën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se të paktën pesë persona janë konfirmuar të vdekur pas një incidenti me armë në një zonë të Kievit.
Ngjarja ndodhi kur një armatosur hapi zjarr dhe mori peng disa persona brenda një supermarketi.
Në një postim në X (ish-Twitter), Zelensky shkroi: “Në këtë moment, janë konfirmuar pesë të vdekur. Ngushëllimet e mia për familjet dhe të dashurit e tyre. Dhjetë persona janë aktualisht të shtruar në spital me lëndime dhe trauma.”
Ai shtoi se katër pengje janë shpëtuar dhe se sulmuesi është eliminuar nga forcat speciale. Të gjithë rrethanat po hetohen intensivisht.
“Presim një hetim të shpejtë. Hetuesit e Policisë Kombëtare dhe Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës po punojnë. Kam urdhëruar Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Kreun e Policisë Kombëtare që t’i bëjnë publike të gjitha informacionet e verifikuara në këtë çështje,” tha Zelensky.
Incidenti ndodhi në lagjen Holosiivskyi të Kievit, pranë një supermarketi “Velmart”.
Sulmuesi fillimisht hapi zjarr në rrugë, pastaj u strehua në supermarket duke marrë peng vizitorë. Operacioni special për neutralizimin e tij përfundoi me sukses.
Sipas autoriteteve, ky është një incident tragjik dhe nuk ka lidhje me luftën me Rusinë, ndërsa po vazhdojnë hetimet për të sqaruar motivet dhe detajet e plota.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




