Bullgari, Radev pro-rus pritet të fitojë zgjedhjet parlamentare

Europë | 7 muaj më parë

Partia e sapoformuar e qendrës së majtë, “Bullgaria Progresive”, e udhëhequr nga ish-presidenti Rumen Radev, duket se ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës. Ky rezultat pritet të shënojë një pikë kthese për anëtarin më të varfër të Bashkimit Evropian, i cili prej vitit 2021 është mbërthyer në një paralizë të thellë politike.

Sipas sondazheve të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit (Exit Polls), forca politike e Radevit ka marrë një epërsi dërrmuese, duke lënë pas rivalët historikë.

Projeksionet e rezultateve janë:

“Bullgaria Progresive” (Rumen Radev): 38% – 39%

GERB (Boyko Borissov): – 15%

PP-DB (Koalicioni Reformist): 13% – 14%

Pas votimit, 62-vjeçari Radev, i cili dha dorëheqjen si president në muajin janar për t’u futur në garën parlamentare, theksoi se objektivi kryesor është krijimi i një qeverie të qëndrueshme, duke u shprehur i hapur për bashkëpunim me koalicionin reformist PP-DB ose për formimin e një qeverie pakice.

“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mos lejuar të shkojmë përsëri në zgjedhje. Kjo është shkatërruese për Bullgarinë,” theksoi Radev, duke shtuar se pjesëmarrja masive ishte “e vetmja mënyrë për të mbytur blerjen e votave në një det votash të lira”.

Ndryshim kursi për Sofjen?

Rumen Radev, një ish-gjeneral i forcave ajrore me 9 vite përvojë në krye të shtetit, e bazoi fushatën e tij në premtimin për të shkatërruar atë që ai e quan “modeli i qeverisjes oligarkike”.

Megjithatë, fitorja e tij mund të sjellë ndryshime në kursin e politikës së jashtme të Sofjes. Ai ka mbështetur idenë e ripërtëritjes së lidhjeve me Moskën dhe ka qenë kritik ndaj dërgimit të ndihmave ushtarake drejt Ukrainës, ndonëse është zotuar të mos përdorë veton për të bllokuar ndihmën evropiane për Kievin.

Radev kundërshton ashpër politikat e BE-së për energjinë e gjelbër, duke i cilësuar ato si naive “në një botë pa rregulla”.

Disfata dhe llogaritjet e Borissovit

Për partinë konservatore dhe pro-evropiane GERB, rezultati prej 15% përfaqëson një rënie të ndjeshme në raport me parashikimet e mëparshme. Ish-kryeministri Boyko Borissov, i cili ka qeverisur vendin për tre mandate, shfaqi tone pesimiste gjatë paradites, duke përjashtuar mundësinë e koalicioneve dhe duke paralajmëruar kalimin në opozitë.

Megjithatë, pas publikimit të shifrave të para, Borissov zbuti qëndrimin e tij, duke lënë të hapur çdo mundësi:

“Fitimi i zgjedhjeve është një gjë; qeverisja është krejt tjetër. Zgjedhjet përcaktojnë se kush del i pari, por negociatat përcaktojnë se kush qeveris. Në politikë, ashtu si në jetë, nevojitet durim.”

Rëndësia e këtij votimi

Këto janë zgjedhjet e teta brenda pesë viteve për Bullgarinë, një rekord negativ që reflekton fragmentimin e thellë pas protestave masive anti-korrupsion që rrëzuan Borissovin në vitin 2021.

Votimi i së dielës vjen në një moment historik për vendin, i cili këtë vit ka shënuar hyrjen zyrtare në Eurozonë dhe në zonën e lëvizjes së lirë Shengen. Rezultatet paraprake zyrtare pritet të shpallen gjatë ditës së hënë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme