Rama: Ligj i ri për nënproduktet shtazore, kusht për tregun e BE-së

Politikë | 6 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po punon për hartimin dhe miratimin e një ligji të ri për nënproduktet shtazore që nuk janë për konsum, si pjesë e përgatitjeve për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian në sigurinë ushqimore.

Gjatë një takimi me operatorët e biznesit ushqimor, Rama theksoi se, megjithëse është bërë progres në sektorë të caktuar si thertoret, Shqipëria mbetet ende larg nivelit të kërkuar për të marrë certifikimin që lejon aksesin në tregun europian.

Sipas tij, një nga problemet më serioze në thertore është mungesa e ndarjes dhe trajtimit të mbetjeve shtazore që nuk janë për konsum.

“Garantimi i ndarjes sipas standardeve të BE-së dhe trajtimi i tyre është thelbësor për të shmangur rreziqet e kontaminimit dhe ndikimet negative në mjedis. Aktualisht, asnjë thertore nuk e ka të plotë këtë proces”, u shpreh ai.

Rama nënvizoi se ligji i ri do të parashikojë klasifikimin e mbetjeve sipas nivelit të rrezikut, trajtimin e tyre sipas standardeve europiane dhe garantimin e gjurmueshmërisë së plotë, nga momenti i krijimit deri në asgjësim, përmes përdorimit të teknologjisë moderne.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te sektori i qumështit, duke paralajmëruar se nëse Shqipëria do të ishte sot anëtare e BE-së, ky sektor nuk do të mund t’i përballonte kërkesat për standarde. Ai theksoi nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe një plan gradual transformimi.

“Koha që kemi në dispozicion është e mjaftueshme, por nuk duhet të biem në neglizhencën ‘ka kohë’. Duhet të dimë saktësisht çdo hap që do të ndërmarrim dhe ta nisim që sot”, tha Rama.

Ai bëri të ditur se qeveria ka hartuar një strategji të re kontrollesh në terren, të cilat nuk do të kenë karakter ndëshkues, por do të funksionojnë si një proces mbështetës për bizneset. Kontrollet do të japin rekomandime konkrete dhe do të rikthehen për të verifikuar zbatimin e tyre.

“Qëllimi është që kontrollet të mbrojnë interesin publik dhe njëkohësisht të mbështesin çdo sipërmarrje që respekton ligjin”, përfundoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme