Dita Ndërkombëtare e Inovacionit- Në Shkodër, objektiv investimi teknologjik në shkolla
Në kuadër të Ditës së Inovacionit, investimet në teknologji dhe zhvillim po japin ndikim të dukshëm edhe në institucionet arsimore në Shkodër.
Gjatë viteve të fundit, një fokus i veçantë i është kushtuar modernizimit të shkollave, ku tashmë 10 prej tyre janë pajisur me laboratorë inteligjentë “Smart Lab”, ndërsa 4 të tjera janë kompletuar me elemente të avancuara të teknologjisë së informacionit.
Synimi i autoriteteve është që çdo shkollë të pajiset me tabela inteligjente “smart board”, duke krijuar kushte më bashkëkohore për mësimdhënie dhe duke i afruar nxënësit me realitetin digjital.
Ndërkohë, inovacioni nuk mbetet vetëm në infrastrukturë, por reflektohet edhe në idetë dhe projektet e vetë nxënësve.
Vetëm pak javë më parë, gjimnazi “Jordan Misja” u evidentua për një projekt inovativ që synon parandalimin e përmbytjeve, një problematikë e ndjeshme për zonën. Ky angazhim tregon se të rinjtë po bëhen gjithnjë e më aktivë në zgjidhjen e sfidave reale përmes ideve kreative dhe përdorimit të teknologjisë.
Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po avancon me ritme të shpejta, këto iniciativa dëshmojnë se e ardhmja po orientohet gjithnjë e më shumë drejt inovacionit.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




