Trump: Bisedimet me Iranin mund të rinisin të premten

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se bisedimet me Iranin në Pakistan mund të rifillojnë ditën e premte.
Sipas mediave amerikane raundi i ri i negociatave midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mund të zhvillohet në Pakistan ditën e premte duke përmendur presidentin Trump dhe burimet pakistaneze
Gjithashtu bëhet e ditur se pas “përpjekjeve të ndërmjetësimit pozitiv me Teheranin, ” të dy palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve brenda “36 deri në 72 orë. ”
I kontaktuar nga New York Post, Trump, është përgjigjur se “është e mundur ” që palët mund të mblidhen në Islamabad brenda këtij afati kohor.
Ndërkaq, ditën e djeshme presidenti Trump bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do të zgjasin armëpushimin me Iranin pas kërkesës së Pakistanit.
Megjithatë, ai ka theksuar se SHBA do të vazhdojë bllokadën e porteve iraniane.
“Bazuar në faktin që qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, siç pritej, dhe pas kërkesës së Field Marshal Asim Munir dhe kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar të ndalojmë sulmin ndaj vendit të Iranit derisa udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të dalin me një propozim të unifikuar.
Prandaj, i kam urdhëruar Forcat tona Ushtarake të vazhdojnë bllokadën dhe, në të gjitha aspektet e tjera, të mbeten të gatshme dhe të afta, dhe kështu do ta zgjasim armëpushimin derisa propozimi i tyre të paraqitet dhe diskutimet të përfundojnë, në një mënyrë ose në tjetrën”, shkroi Trump në një postim në rrjetin ‘Truth Social’.
Ky vendim vjen në një moment kur armëpushimi dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit po afrohej me afatin e skadimit (të mërkurën, sipas kohës së Uashingtonit).
Më herët, Trump kishte thënë se zgjatja e armëpushimit ishte “shumë e pamundur” nëse nuk arrihej një marrëveshje, dhe kishte paralajmëruar se pa një deal, do të rifillojnë sulmet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




