Trump: Irani nuk di kë ka udhëheqës, janë të përçarë ndaj nuk i përgjigjen propozimit tonë

Amerikë | 6 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar situatën në Iran si përçarje të brendshme, që sipas tij e kanë penguar vendin të japë një përgjigje ndaj propozimit të fundit për një marrëveshje armëpushimi mes dy vendeve.

“Irani e ka shumë të vështirë të kuptojë kush është udhëheqësi i tyre! Ata thjesht nuk e dinë!” shkruan Trump në Truth Social.

Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk është parë publikisht qëkur u emërua, me raporte që thonë se ai u plagos rëndë në sulmin që vrau babain e tij.

Megjithatë, udhëheqja e ashpër e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) thuhet se po merr vendimet në Teheran, ndërsa kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, të cilëve u është ngarkuar të negociojnë me SHBA-në, thuhet se janë më të gatshëm për një marrëveshje.

“Përçarja është mes ‘linjës së ashpër’ që po humbasin keq në fushën e betejës, dhe ‘moderatorëve’, që nuk janë aspak shumë moderatë (por po fitojnë respekt!), është çmenduri!

Ne kemi kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit. Asnjë anije nuk mund të hyjë ose të dalë pa miratimin e Marinës së Shteteve të Bashkuara. Është mbyllur fort deri në momentin kur Irani të jetë në gjendje të bëjë një marrëveshje!” shton Trump.

Shtëpia e Bardhë pretendon se përçarjet e brendshme në Iran kanë penguar Teheranin të dalë me një përgjigje të unifikuar ndaj propozimit të fundit për armëpushim të përhershëm, duke çuar Trumpin të zgjasë për një kohë të pacaktuar një armëpushim që duhej të skadonte më herët këtë javë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme